Shkëndija godet sërish në merkato duke blinduar mesfushën!

Shkëndija e Tetovës godet sërish në merkato duke blinduar mesfushën, një sinjal ky se kuqezinjtë duan me çdo kusht të fitojnë titullin e dytë radhazi në Maqedoni dhe më pas të kenë një skuadër të denjë për të tentuar minimalisht grupet e Europa League në kompeticionet europiane. Pas firmës me Agim Ibraimin, Shkëndija ka zyrtarizuar sot edhe afri                                                                                                                                        min në skuadër të një lojtari tjetër me peshë që ka qenë pjesë e përfaqësueses maqedonase të 21-vjeçarëve para disa vitesh. Bëhet fjalë për Zeni Husmanin, mesfushorin me tipare mbrojtëse, i cili ka firmosur një kontratë që e mban të lidhur me Shkëndijën deri në verën e vitit 2021.Futbollisti ka luajtur në disa kampionate si në Kroaci, Slloveni dhe Turqi. Eksperienca me Shkëndijën do të jetë e para për mesfushorin në Maqedoni.

Sipas njoftimit të klubit tetovar të bërë në faqen zyrtare, Husmani është një futbollist cilësor dhe me eksperiencë. Shkëndija ka shfrytëzuar problemet që lojtari ka pasur me klubet paraardhëse për të rrëmbyer shërbimet e tij. Megjithatë futbollisti duhet të presë edhe pak ditë derisa të zgjidhen të gjitha ngërçet administrative, për të qenë më pas gati për trajnerin Osmani.

Husmani sezonin aktual e nisi me Domzalen në Slloveni para se të kalonte në Turqi te Giresunspor. Zeni Husmani ka lindur në Çegran të Gostivarit dhe në moshë shumë të re është transferuar në Kroaci. Si profesionist u promovua te skuadra e Shibenik-ut, para se të kalonte në Slloveni ku për shtatë sezone ishte pjesë e Domzales.

Është paraqitur me përfaqësuesen e re të Maqedonisë vetë te 21-vjeçarët, ndërsa Shkëndija e sjell për herë të parë të luajë në futbollin vendas.  Pas Agim Ibraimit, Zeni Husmani bëhet afrimi i dytë i Shkëndijës në merkaton e janarit./TS/