Rivaldo prezantohet si drejtor teknik

Rivaldo në Serie C, kush do ta kishte menduar ndonjëherë. Normalisht jo për të luajtur, por për të nisur karrierën e tij të re si drejtues.

Do ta nisë pikërisht nga Chabab Mohammedia, divizioni i tretë maroken, aty ku do të jetë drejtor teknik me shpresa të mëdha për t’u bërë shumë shpejt edhe trajner i skuadrës së parë.

Jeta e tij e re, pasi përfundoi karrierën si futbollist, ka qenë vërdallë mes kampionateve më të çuditshëm në botë.

Përveç Greqisë dhe rikthimit në Brazil, fituesi i “Topit të Artë 1999”, luajti edhe në Angola dhe në Uzbekistan, ndërkohë që eksperienca e tij e fundit ishte te Mogi Mirim, skuadra që e promovoi si të ri, aty ku madje luajti bashkë me djalin e tij.

Tani nuk do të luajë më, të paktën jo për momentin, por aventura e tij në Marok premton që tani spektakël.

I prezantuar me fanellën kuqezi që i kujton të kaluarën si milanist, etapë ajo jo aq e shkëlqyer sa aventura me Barcelonën, por gjithsesi shumë mbresëlënëse, pasi i dhuroi vitrinës së tij trofeun e tij të vetëm të Champions League.

Madje mund të mos jetë ylli i vetëm i epokës së tij që bashkohet me Mohammadia: për momentin Rivaldo ndodhet me pushime në Tangeri bashkë me Cafu, Michel Salgado dhe Roger Milla. Mbase qëndron në Marok edhe ndonjëri prej tyre.