15 foshnje me fruth, thirrje nga Shëndeti Publik: Vaksiononi fëmijët!

Instituti i Shëndetit Publik ka bërë një thirrje për qytetarët në vend që të vaksinojnë fëmijët nga fruthi Instituti njoftoi se për periudhën 1-15 janar 2019 janë raportuar në total 15 raste të konfirmuara me fruth.

Nga rastet e konfirmuara në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, pjesa më e madhe e rasteve i përkasin grupmoshës nën 2 vjeç.

Për këtë arsye, ISHP ju bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre, sipas Kalendarit Bazë të Vaksinimit, sepse është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin si dhe për të ulur komplikacionet që vijnë prej tij.

Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritjen e rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më e rëndësishmë vaksinimi i fëmijëve për të parandaluar përhapjen e fruthit.

Masat e ndërrmara nga ISHP për mbrojtjen nga epidemia e Fruthit:

Izolimi në pavione të caktuara (në pediatri dhe tek të rriturit) dhe vetëizolimi për rastet ambulatore.
Masa standarte të kontrollit të infeksionit dhe të transmetimit ajror.
Përdorim i maskave nga personeli dhe pacientët kur shkojnë në ekzaminime. 
Vaksinim i personelit. 
Monitorim i gjendjes mbrojtëse të personelit ndaj fruthit. 
Vaksinim brenda 72 orëve i kontakteve. 
Vendosja e survejancës aktive në nivel kombëtar.
Trajnime me pjesëmarrjen e mjekëve të institucioneve parashkollore dhe shkollore si dhe mjekëve të familjes. 

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin e të gjithë fëmijëve si dhe të rriturve që janë në rrezik për t’u infektuar, për të cilët kryerja e vaksinës së fruthit nuk është e kundërindikuar.