Bonucci i bën presion Milanit: Do jemi agresiv

Qendërmbrojtësi italian i Juventusit, Leonardo Bonucci, ka paralajmëruar ish-klubin e tij, Milanin, para ndeshjes së Superkupës së Italisë, duke thënë se skuadra e “Zonjës së Vjetër” është nisur për këtë ndeshje shumë entuziaste dhe me dëshirën për ta fituar trofeun.

“Kemi shumë dëshirë ta kthejmë në shtëpi trofeun, pasi ky është objektivi ynë i parë dhe si gjithmonë Juventusi dëshiron të fitojë. Sa i përket anës sonë, ne kemi ardhur këtu me një entuziazëm të madh dhe dëshirë për të fituar”, tha fillimisht Bonucci.

“Duhet të jemi më agresiv në këtë ndeshje, por duhet të jemi edhe më të kujdesshëm, pasi Milani i Gattusos luan futboll të mirë dhe mund të na shkaktojë probleme. Kështu që ne duhet të tentojmë t’i mbyllin të gjitha hapësirat, të mos i lejojmë të driblojnë”, shtoi mbrojtësi i bardhezinjve.

“Duam të zhvillojmë një lojë të mrekullueshme dhe duam ta kthejmë trofeun në shtëpi. Është gjithmonë mirë kur shkon në stadiume që janë të mbushur me njerëz. Ne jemi mësuar kështu, sepse stadiumi ynë është gjithmonë i mbushur. Kjo do të na motivojë edhe më shumë”, deklaroi Bonucci.