Tronditet Tottenhami, dëmtohet Harry Kane

Harry Kane do të mungojë të paktën dy muaj pasi ka dëmtuar ligamentet në kyçin e këmbës së majtë, në humbjen e Tottenhamit ndaj Manchester Unitedit të dielën në Londër.

Spurs kanë konfirmuar pasditen e sotme se Kane nuk do të jetë në gjendje të stërvitet deri në fillim të muajit mars, prandaj ai nuk ka mundësi të luajë deri në fund të atij muaji.

“Pas vlerësimeve fillestare, mund të konfirmojmë se Harry Kane ka dëmtuar ligamentet në kyçin e këmbës së majtë, në ndeshjen e së dielës”, thuhet në komunikatën e Tottenhamit.

“Ai do të vazhdojë të monitorohet nga stafi ynë mjekësor derisa të nisë rehabilitimin dhe pritet të kthehet në stërvitje në fillim të marsit”, përfundon njoftimi i klubit anglez.

Mungesa e tij do ta lërë Mauricio Pochettinon pa opsione në sulm, pasi edhe Son Heun-Min do të mungojë në pesë ndeshjet e ardhshme sepse do të luajë për Korenë e Jugut në Kupën e Azisë.