PD: Dorëzim i kontrolluar i Klement Balilit, ja si do ta çlirojë Rama nga akuzat e rënda

Partia Demokratike ka paralajmëruar përmes një deklarate se vetëdorëzimi i Klement Balilit në Polici nuk është tjetër përveçse një dorëzim i menaxhuar dhe i kontrolluar  në pakt me Edi Ramën dhe se ndaj Balilit do të zbatohet e njejta skemë për ta çliruar nga akuzat, si në rastin e Saimir Tahirit.

“Shoqërimi i Klement Balilit në qeli nuk është një hap i madh kundër krimit, por dorëzim i kontrolluar dhe i menaxhuar i Eskobarit të Ballkanit në pakt me Edi Ramën.  

Me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin: dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge.    

Rasti i parë, kur kjo do të provohet, si çdo denoncim tjetër i Partisë Demokratike për lidhjet e Edi Ramës me krimin, do të jetë rasti i Saimir Tahirit. 

Për ish ministrin e drogës, i cili e la mandatin e deputetit dhe u vu në mënyrë të kontrolluar në arrest shtëpie, sa për të gënjyer partnerët, po përgatitët lirimi nga akuza kryesore për bashkëpunim në trafikun e drogës. Shpërdorimi i detyrës do të jetë akuza më e lehtë për të, sepse Edi Rama kontrollon hetimin.  

Skema “Tahiri” do të funskionojë edhe për bashkëpunëtorin e tij, Klement Balili. Prandaj Drejtori i Transporteve të Edi Ramës, të cilin Partia Demokratike e denoncoi 5 vjet më parë si person kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, ka pranuar të vetëdorëzohet.  

Gjatë gjithë kësaj kohe, Klement Balili, ka patur mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës. Ka jetuar në Sarandë dhe zonat përreth saj nën mbrojtjen e Edi Ramës. Megjithëse në kërkim ndërkombëtar, kompania e tij ka marrë, deri pak muaj më parë, 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës, shumicën e tyre pa garë.

Pasuria e tij, përfshirë edhe resortin luksoz në Sarandë, është ruajtur e paprekur nga qeveria e Edi Ramës. Të gjithë në Sarandë e dinë se konfiskimi i resortit luksoz është vetëm fasadë dhe se Klement Balili e menaxhon në të vërtetë resortin, me të cilin mban peng Edi Ramën.    

Propaganda nuk do ta ndihmojë Edi Ramën të shesë si sukses skemën e dorëzimit të kontrolluar të Klement Balilit për ta mbrojtur atë, njësoj si Saimir Tahirin. 

Ky nuk është rasti për të duartrokitur Policinë, por për të kuptuar se Policia, qeveria dhe drejtësia janë, për fat të keq, në duart e një njeriu të vetëm, që ka lidhur fatin e pushtetin të tij me fatin e krimit."