Kukësi mbyll me sukses fazën përgatitore, Vasil Shkurtaj e bën ‘sefte’

Kukësi e mbyll me fitore fazën mini përgatitore të dimrit në Antalya të Turqisë.

Pas humbjes minimale ndaj kryesuesve të Superligës turke Istanbul Basaksehir dhe barazimit ndaj rusëve të Rostov, skuadra e Armando Cungut regjistroi fitoren e parë në miqësoren e tretë dhe të fundit në tokën turke.

Kukësi mposhti me shifrat 2-0 kazakët e Shakhter Karagandy, një kundërshtar dukshëm më inferior se dy rivalët e dy ndeshjeve të para.

Megjithatë lajmi i mirë është që në këtë ndeshje gjeti golin e parë me fanellën e Kukësit, Vasil Shkurtaj, i cili e nisi sfidën si titullar dhe zhbllokoi rezultatin pas vetëm 9 minutash lojë.

Në minutën e 43-të Arbër Çyrbja i cili realizoi edhe ndaj Istanbul Basaksehir shënoi edhe të dytin për Kukësin duke vulosur fitoren e nënkampionëve të Shqipërisë.

Pjesa e dytë, e cila u karakterizua nga zëvendësimet e shumta nuk prodhoi më asnjë gol.

Shakther Karagandy është një kundërshtar i njohur për skuadrat shqiptare pasi disa vite më parë eliminoi Skënderbeun në turin e tretë kualifikues të UEFA Champions League duke i hequr mundësinë bardhekuqve për të marrë pjesë në play-off dhe për të siguruar njëkohësisht grupet e Europa Leagues.