Dekanati i Filologjisë i bashkohet studentëve: Të rishikohet Ligji i Arsimit të Lartë

Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe i Filologjisë i është bashkuar sot protestës së studentëve, që vazhdojnë bojkotin e mësimit dhe kanë pushtuar godinën.  Në një deklaratë, të publikuar në rrjetet sociale që mban firmën e Dekanit, Prof. Dr. Sabri Laçi, thuhet: "Pas njohjes me diskutimet e zhvilluara në të gjitha departamentet, Dekanati i FHF-së deklaron se pedagogët:

  • Rikonfirmojnë mbështetjen e protestës së studentëve dhe të kërkesave të tyre të ligjshme.
  • Dënojnë ndërhyrjen e organeve të rendit në mjediset universitare dhe dhunimin e studentëve prej tyre
  • Janë kundër çdolloj ndërhyrje dhe presioni që synon deformimin e vullnetit të lirë të studentëve
  • Kërkojnë ndalimin e fushatës denigruese dhe të përbaltjes masive të trupës akademike universitare nga aktorët politikë dhe qeveritare, që synon intimidimin e mendimit të lirë
  • Propozojnë ngritjen e një strukture me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve për trajtimin dhe adresimin e problematikave që po kalojnë IAL-të publike në RSH
  • Rikonfirmojnë kërkesën për rishikimin thelbësor të Ligjit të Arsimit të Lartë në RSh
  • I sigurojnë studentët për gatishmërinë e tyre në angazhimin për realizimin e objektivave të vitit akademik në vijim.

Protesta e studentëve, që ka nisur më 4 dhjetor 2018 dhe që ditët e fundit dukej sikur po shterte, po i afrohej fundit, pas disa masave që mori qeveria dhe presioneve, ka marrë kështu një kthesë të beftë dhe të rëndësishme, një hov të ri, falë mbështetjes së të rinjve nga pedagogët.