Blerja e bujshme e Skënderbeut: Jam serb por idhulli im është një lojtar shqiptar

Quhet Elmir Asani dhe është afrimi i parë i Skënderbeut. Ka lindur dhe është rritur në Serbi dhe normalisht ka vështirësitë e tij me shqipen.

Pyetjet drejt tij ishin të shumta, por është herët që lojtarin e ri të korçarëve ta lodhim. E nisi mbarë, teksa shënoi një gol në miqësoren me Bylisin, ndërkohë që trajneri Orges Shehi mund t’i bëjë llogaritë me 23-vjeçarin në pjesën e dytë të sezonit.

Në një rrëfim të dhënë për “Panorama Sport” zbulon gjithçka rreth vetes dhe i lëshon “sfidë” të hapur Asanit tjetër të Kategorisë Superiore. Konkurrenca nuk e tremb aspak dhe zbulon se me skuadrën korçare njohjen e parë e pati në Europa League, kur ndesheshin me Partizanin e Beogradit.

“Unë në fakt jam serb nga Kosova, kjo është origjina ime. Edhe prindërit janë serbë, të cilët jetuan në Kosovë fillimisht dhe më pas jemi transferuar në Novi Sad, atje ku unë kam lindur”, tha ai.

“Kam ardhur te Skënderbeu sepse është një klub i madh, me një traditë të madhe dhe me shumë trofe. Këto arsye më bindën ta pranoj ofertën. E kam ndjekur edhe më parë Skënderbeun, sidomos gjatë Europa Leagues. Skënderbeu është një klub i madh dhe me siguri do të thotë shumë të luash në këtë ekip dhe për të ecur lart në karrierë”, tregon Asani.

A keni një idhull apo një lojtar që do të donit t’i ngjanit?

“Idhulli im është Xherdan Shaqiri. Kjo, për mënyrën e tij të lojës, e cila më përshtatet shumë, por edhe pozicioni në fushë që është i njëjtë. Besoj se kemi karakteristika të ngjashme dhe do isha i nderuar që t’i ngjaja një lojtari të këtij kalibri, pasi është me të vërtetë i madh. Shpresoj që çdo ditë e më shumë t’i ngjasoj mënyrës së tij të lojës”, përfundoi ai.