Xhenaze qeveria...

U bënë javë që qeveria jonë ka vdekur. Protesta e studentëve ia bllokoi mushkëritë. Pra,na ka lënë shëndenë. Është shtrirë për tokë, kutërbon qysh prej larg era kërmë, por socialistët nuk duan ta varrosin.

Besojnë se ajo gjallon akoma. Iu duhet se vjedhin e gllabërojnë me të, se mbrohen nga dënimi i egër që po duket në horizont.

Ndodhin dhe fantazira të tilla. Më kujtohet miku im Calja. I rrinte në spital te koka babait të sëmurë.

Kur mjeku i thoshte:

-Largohu o çun, se babai të la, ndërroi jetë.

-Jo, jo. Është gjallë, -dëneste Calja. -A e dëgjon si merr frymë?

-E dëgjoj, e dëgjoj, por nuk merr frymë babai, po bën zhurmë tubi i bombolës së oksigjenit.

Edhe Rama, trimërohet këto kohë veçanërisht natën dhe dërgon sms-ra në krejt vendin duke dërdëllitur se atdheu merr akoma frymë. Madje rrëfen se qenka rritur ekonomia,paska rënë papunësia dhe është zgjeruar lumturia!!!

Ndërkohë ndërroi me një dorë 8 ministra, ama s’pranon për qamet se i ka ngordhur qeveria. I vetmi në glob qe krenohet me... dështimet varg.

Në këto raste ngjasimet vijnë vetë. Kështu si Edi klithte me triumf dhe Kudret atleti. Ia nisi garës me sprint të fortë dhe pas njëqind metrave ndaloi,ngriti duart lart me hare,i ra gjoksit me lavdi dhe i tha trajnerit:

-A të thashë, a të thashë se do dal i pari?!

-Vrapo, mor trap, -e nxiti trajneri. -Vrapo! Ke akoma dhe treqind metra të tjera. Gara mbaron atje ku e nise, një xhiro stadiumit. Nuk i sheh shokët që po ikin larg? Vrapo se s’do dalësh dot as i fundit...