Letra e studentes/ Ja pse në 7 janar do protestoj sërish

Nga Klarisa Rexhvelaj*

Unë jam studente dhe nuk dua të konsiderohem si parazit që thith gjakun e familjes dhe jeton me mundin e prindërve, që në kurriz të tyre të bëhem dikushi nesër.

Në këtë kohë, ku litari na ka ardhur në fyt revolta ishte e vetmja mundësi që na mbeti për të mbijetuar ndaj sistemit të kalbur që na mori frymëmarrjen ne si student, e u bë thika në asht e familjeve tona që ngelen pa bukë për të mbajtur ‘studentin’ e metropolit që jeta i kushton një djall e gjysëm.

Për 16 ditë me radhë studentet, ne vërshuam rrugëve të kryeqytetit duke tundur sheshet e institucionet, duke ndryshuar gjysmën e qeverisë, duke na dhënë të drejtën se si protestuam, por ku jemi sot?!

A u përmbushën kërkesat tona? A fituam ne? A arritëm qëllimin? Apo duhet vetëm të gëzohemi për ironin e Kryeministrit dhe memeve?

Le ta ngrejë dorën kush është i kënaqur me memet? Po harxhoni më shumë energji me to, dhe duke zbiriluar se ku besojmë ‘Ne’ kë ardhurojmë e ku kuntribuojmë, qesharake të biem në këtë nivel... apo dikujt i intereson largimi nga problemi i madh, SHFUQIZIMI i ligjit të arsimit.

Kjo është thembra e Akilit, tjerat janë tymnaja, më the e të thash, e lagu se lagu e do e lagi...

Puna nuk na pret miqtë e mi student, se jeni bërë familja ime në këto 16 ditë, kemi ndarë bukën, mërzinë, dhimbjen, përvojnë e hidhur me njëri -tjetrin. Sot ju njoh, por duke ju njohur mësova të njoh vetën.

Pas disa ditësh pushim nga festat pata mundësi të ulem e reflektoj me vetën time. Situata duket gri . Duket e zymtë, është e paqartë...

Ka ardhur një moment ku propaganda qeveritare ka helmuar mendjet e studentëve. Thonë se studenti që simpatizon një parti nuk është student, të shporret nga protesta!

Po a e dini ju njerëz se dhe ‘studenti partiak’ ka tarifë shkollimi, atë s'ia paguan as PS, as PD apo LSI, atë e paguan babai i sëmur, e nëna që herë punon e herë jo, e paguajnë ato duart me kallo, e fytyra e zbehtë nga keq ushqyerja, sforcimi i tepërt, lodhja, mërzia, që nuk kanë ngjyrë politike, mjerimi është një për të gjithë.

Se të kesh dy rroga në Shqipëri është luks i madh, mision i pamundur.

A thua ky ‘studenti partiak’ nuk jeton në të njëjtin konvikt copë-copë me ju, nuk ulet në të njëjtën klasë të ftohtë, të akulltë me ju e mban të njëjtën barrë studenti me ju . Nuk gjej ndryshimin? Sepse kauza jonë është të drejtat e studentit, përmirësim kushtesh, ulje tarifash, shfuqizim i ligjit të dështimit.

Marrë shkas t'i përmend këtë fenomen pasi unë e para, jam një nga ata student që janë sulmuar kështu, pa më njohur aspak jam etiketuar si ‘militantja e PD’.

 Askush nuk e dinte se unë isha një vajzë nga një fshat i thellë në veri të Shqipërisë, që ka një histori familje me 12 vite burg politik mbi shpinë nga diktatura, e persekutime të vazhdueshme, askush nuk e dinte që unë kam prindër të sëmurë e pa punë e jetojmë 5 anëtarë me një rrogë të nënës time që udhëton dy orë në këmbë mes malesh çdo ditë si mësuese po me këtë pretekst ‘ka bindje të djathta’ pavarësisht se ajo ka dy fakultete e një master, rropatet për të mbajtur mua dhe pjesën tjetër të familjes.

Ky është krim?

Ky është gabim?

Gjykimi ngelet tek secili nga ju... jeni të lirë të mendoni, gjykoni.

Mendjet e ngushta të njerëzve nuk shkuan përtej fjalës militant, as menduan se unë kisha 16 ditë në shi, në të ftohtë , shumë herë pa ngrënë, me 20 orë në shesh.

Dhe pse jeni prindër nuk mendoni si për një nga fëmijët tuaj, që e keni jashtë në shi duke protestuar , si student nuk menduat si për vetën tuaj se po kalonit bashkë me mua të njëjtin kalvar vuajtjesh, e dhimbja ime ngjan me tuajën, edhe lotin njësoj e kemi...

Kjo pra është fryma e së keqes, fryma e përçarjes që na kanë injektuar këto ditë. Ky është helmi që kemi thithur gjithë këto ditë e me të cilin tentojnë ta na shuajnë kauzën tonë që është me e madhe se gjitha partitë e bëra bashkë, është kauza e studentëve shqiptarë!

Këtë dhjetor jam ndjerë shumë krenare , nuk isha me studentja që rrinte kafesh, nuk isha me e shtypura, e heshtura, e urta, naivja, e bindura, por tashme u ktheva ne shpresë, shpresa e familjes time për një të ardhme me të mirë, shpresa e fshatit tim se ka një zë në shesh, shpresa e vendit tim që zemra i rreh akoma për ndryshim, shpresa e shqiptarëve për ta bërë vendin si e gjithë Europa. Jemi ne studentët SHPRESA pa ngjyrim.

Sot dua t'ju bëj thirrje të gjithë studentëve të mos e harrojmë shpresën që ngjallëm, të mos e harrojmë kauzën tonë, të mos i harrojmë duart e nënave shqiptare që na mbështetën pa kushte, na sollën bukë e ujë, të mos harrojmë se ne ju detyrohemi sot shqiptarëve ta mbajmë pishtarin e zjarrit të SHPRESËS ndezur.

Sytë e shqiptare janë drejt nesh, te bashkojmë forcat e me 7 Janar të mbushim sheshin para Kryeministrisë më shumë se ishim e më të fortë se kurrë.

Të tregojmë edhe një herë qe s'jemi përçarë, se jemi të bashkuar për Shqipërinë, t'u themi se s'jemi dorëzuar as nuk do e bëjmë kurrë , jemi këtu për të marrë vetëm atë që na takon me të drejtën e ligjit e të zotit, atë që meritojmë!

ARSIM CILËSOR!

*Studentet e Fakultetit të Mjekësisë