Vrasjet në Ballsh, Musta rrëfen dinamikën: Ja si ndodhi ngjarja, jam penduar

Vrasësi i gruas dhe kunatës së tij në Ballsh, është rrëfyer për Policinë.

“Jam penduar”.

Kështu mësohet të ketë pohuar para hetuesve 34-vjeçari Gazment Musta, autor i krimit të rëndë të dyfishtë që tronditi Ballshin një ditë më parë.

Gazmend Musta, ka treguar përpara uniformave blu variantin e tij për konfliktin me të shoqen dhe kunatën, që u përshkallëzua deri në vrasjen e tyre.

Burri 34-vjeçar rrëfeu se theri me thikë bashkëshorten 31-vjeçare Gentjana Çaushaj dhe kunatën Merisa pas një sherri të mërkurën në drekë. Ai ka rrëfyer se pikënisje e debatit ishte kërkesa e bashkëshortes për të marrë fëmijët dhe për të shkuar te prindërit e saj, me të cilët Gazmenti nuk kishte marrëdhënie të mira që prej një viti.

Musta është shprehur se debatin e kishte nisur me kunatën e tij.

“Kisha shkuar te prindërit e mi në fshat. Kur u ktheva në banesë gjeta motrën e gruas. Merisa më tha se kishte ardhur që të merrte motrën e saj dhe fëmijët që të shkonin për festë te prindërit e tyre. Nuk e lejova të shkonte sepse me ta kam pasur debate të herë pas hershme. Që kur kam shkuar emigrant në Greqi kam pasur sherre me babanë e nuses. Kur po debatoja me kunatën, ndërhyri edhe Gentiana duke më kundërshtuar”.

Në debat e sipër 34-vjeçari mori thikën dhe qëlloi fillimisht bashkëshorten, ndërsa më pas edhe motrën e saj 18-vjeçare, e cila u përpoq të pengonte vrasësin.

Gjithë skena e krimit mësohet se ndodhi në prani të dy fëmijëve të mitur. Tragjedia nuk ishte publikuar kur familjarët e viktimave mbërritën në banesën e çiftit të ri dhe u përballën me efektivët e policisë. Polica tha se autori vu në pranga teksa tentoi të largohej bashkë me dy fëmijët.

Sipas uniformave të Policisë, 34-vjeçari kishte konsumuar alkool por jo në sasi të tilla sa të humbiste kontrollin. Gazment Musta ishte kthyer në familje për festat e fundvitit dhe do të rikthehej sërish në Greqi ku punonte si emigrant.