FOTO/ Fieraku ‘hero’ në Itali, shpëton fqinjët të mbetur poshtë rrënojave të tërmetit. Emri

Një shqiptar 35-vjeçar nga Fieri ka zënë një hapësirë të konsiderueshme të medias prestigjioze italiane “La Repubblica”. Gazmend Hysenajn, një akt heroik duke tentuar të shpëtojë fqinjët e tij të bllokuar nën rrënojat e tërmetit 4.8 ballë i shkaktuar nga vullkani “Etna”.

“La Repubblica”përmes korrespondentit në Catania ka raportuar mbi përpjekjet e emigrantit fierak dhe disa banorëve të tjerë, të cilët me kuptimin e plotë të fjalës u shndërruan në heronj të ditës. Fieraku preku tokën italiane një vit më parë me shpresën për të gjetur një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e tij.

Në shkrimin  e gazetës italiane La Republicca, thuhet se shqiptari  vrapo për të shpëtuar fqinjët pasi dëgjoi ulërimat e tyre.

“Qyteza Zafferana Etnea me fraksionin e saj Fleri, është një nga më të dëmtuara.  Ndër rreth 9 mijë banorë që jetojnë në këtë komunë, 186 janë emigrantë shqiptarë.  E mes tyre është dhe shqiptari nga Fieri Gazmend Hysenaj, me profesionin murator. Janë heronjtë e rastësishëm të Flerit, qytezës më të goditur nga tërmeti. Në zemër të natës, të mbijetuar nga lëkundja e fortë sizmike, vrapuan të shpëtojnë fqinj, miq e familjarë.

Një prej tyre është shqiptari nga Fieri, Gazmend Hysenaj, i cili ka mbërritur në Itali vetëm një vit më parë, në kërkim të një të ardhme më të mirë për fëmijët e familjen e tij.  Gazmendi rrëfen se është zgjuar në mes të natës nga të qarat e fëmijëve të tij e ulërimat e komshiut”, shkruan gazeta italiane.

Ai ka treguar momentet e tmerrit kur të gjithë kërkonin ndihmë pasi shumë banorë kishin mbetur të bllokuar nën gërmadha duke ulëritur me të madhe.

“Janë momente që s’ mbarojnë kurrë. Mora gruan e tre fëmijët në krah e i nxora në rrugë me shpejtësi. Por fqinji vazhdonte të thërriste, “më shpëtoni, ndihmë, kam mbetur i bllokuar në gërmadha. Porta e banesës së tij ishte e bllokuar. U mundova ta hap duke e shtyrë me trup por ishte e pamundur. Në atë moment një tjetër lëkundje tërmeti na trembi. Mora tulla e gurë të rrëzuar që gjeta përreth e fillova ta shkatërroj portën, munda të shpërthej e të ndihmoj fqinjin tim të dalë i gjallë nga gërmadhat e banesë”, tregon Gazmend Hysenaj për “La Repubblica”.

Ndërkohë gazetari shton mes tjerash se shqiptari së bashku me qytetarët e tjerë të kësaj zone, shpejt u shndërruan në heronj duke vënë në pikëpyetje jetët e tyre me qëllim që t’ju jepnin ndihmë të prekurve nga tërmeti dhe atyre që bërtisnin poshtë rrënojave.

Një tërmet i fuqishëm goditi dje Siçilinë dhe Katanian,  në zonën e vullkanit më aktiv të Europës, Etna. Mbi 600 banorë ngelën pa shtëpi, 28 të tjerë u plagosën, ndërkohë që Etna vazhdon të jetë aktiv.