Diktatori i vetmuar

Presidenti nuk arriti ta fshehë vetminë që po e mundon, gjatë fjalimit vjetor në Kuvendin e Republikës së Kosovës. U mundua ta kamuflojë me zvarritjen e themelimit të Ushtrisë, por në fakt e vërteta është më therëse.

Edhe pse ka mbledhur rreth vetes një shpurë të bindurish për aventurën e tij territoriale, shumicën e ka kundër. Jo vetëm të politikës, por edhe të popullit.

Në një sallë parlamentare më të përçarë se kurrë, Hashim Thaçi, u mundua të ishte i kujdesshëm në rrëfimin e fundvitit.

Pa kufinj. Pa korrigjim. Pa Luginën e Preshevës. U betua se nuk do të ketë kurrë Asociacion Komunash të serbëve, me kompetenca ekzekutivive, duke i hedhur hi syve opinionit të gjerë publik. A nuk është vetë ai, përgjegjësi kryesor për Zajednicën?! Dhe jo vetëm.

Fjalimi i Presidentit, dukej se ishte shkruar për një kohë tjetër dhe jo për vitin 2018. Në dhjetëra konferenca e ka bombarduar qytetarin kosovar herë me idenë e bashkimit të Kosovës me Luginën e Preshevës, herë me korrigjimin e kufijve.

“ Ui are not problematik gajs”, ishte ankuar në një rast, me partnerin e tij sekret dhe publik, Aleksandër Vuçiqin.

Në fakt, problematiku është pikërisht kreu i Republikës sonë,që ka nxjerë në pazar shtetin dhe sovranitetin, territorin dhe integritetin. “Gjarpri”, vazhdon të sillet si një monark, që i di vetë të gjitha, bën çka të dojë, ndërsa institucionet i konsideron si shërbëtore të devotshme.

Përreth i vërtiten gjithfarë mercenarësh, medialë, biznesorë, politikë, të cilët i ushqen herëpashere, që të lehin me kujdes. Presidenti ynë është një hipokrit i madh. Ai është përgjegjësi kryesor për shuarjen e shpresës së kosovarëve, të mbetur në izolim e varfëri.

I frikësuar për vdekje nga Gjykata Speciale, Presidenti, tashmë në heshtje, vrapon në marrëzinë e tij, me pasoja të jashtëzakonshme për Kosovën.

Ai nuk e përmend më kufirin, sepse në aktin e fundit të kësaj tragjedie, nuk ka më fjalë. Pritet vetëm nënshkrimi.

Thaçi është i gatshëm ta bëjë, pavarësisht çmimit që do ta paguajë Republika. Vetmia po e lodh, por jo aq sa për të hequr dorë!