Pusulla: ‘Kur të çlirohet Shqipëria’

Ka afro një muaj që Edi Rama u premton studentëve se do u plotësojë jo vetëm tetë pikat e tyre,por edhe më shumë. Gati sa nuk nxjerr nga goja se dhe dashnore do u gjejë,vetëm trembet se e di që ata nuk ia përtojnë helmit të tij. Por pas këtyre premtimeve i mbarohet “karburanti” dhe aty ngec. I shuhet motori.Nuk bën hapin e dytë,të ndryshoja shifrat në buxhet që studentët ta besojnë. Të shohin sa para ka ndarë për bursa,sa për konvikte,sa për biblioteka,sa për... Po nga ky vesh kryeministri ynë nuk dëgjon. Premton në erë si ata aktorët në film që luajnë rolin e pijanecit ama regjisori i dend me gota uji.

Qeverisjet e majta në thelb kanë mashtrimin. Kështu e nisi punën qeverisja e 1944. Shkoi shtëpi më shtëpi për grurë,misër,bagëti e bulmet dhe të mos quhej hajdute e grabitëse u la në dorë viktimave një pusullë me shkrim distrofik,me pesë fjalë:”Do paguheni kur të çlirohet Shqipëria.”

 Në fakt edhe pas 50 vjetësh nuk u dha një qindarkë.Me Edi Ramën ky fenomen ka marrë përmasa gjigande. U dha naftëtarëve statusin dhe si shpërblim kur të çlirohet Shqipëria. U pëmbytën gjashtë herë fermerët nga Vjosa dhe dëmshpërblim,kur të çlirohet Shqipëria. Prishi ndërtesa ngado e asnjë lekë s’dha për pronarët e tyre.

Tani guxon dhe vazhdon njësoj,me po atë melodi.

Studentëve do u plotësoj çdo kërkesë,çirret. Po me ç’para? Me ç’buxhet?

Qeveria nga që gënjeu plot shtresa këto vite mendon se do i funksionojë loja: “Kur të çlirohet Shqipëria “

Edvin,studentët nuk e mbyllën protestën. Po ndodh si me mishin para pjekjes. Marinohet dhe lihet ca kohë ashtu në qetësi. Pastaj javën e parë të janarit hidhet mbi zgarë të piqet. Me studentët nuk pinë ujë pusullat. Se ata ndaj u ngritën,së pari të çlirojnë Shqipërinë nga mashtruesit. Dhe ti je kokrra e Pinokut. Ata e dinë aq mirë sa dialogun me ty e quajnë kohë të humbur e të thërrasin :” O,usb e prishur!”