FOTO/ Pompei: Kali i gjeneralit romak gjendet i paprekur

Ishte ende i veshur me shalën e tij prej lëkure dhe bronzi, gati për të shërbyer pronarin e tij në fushë betejë.

Por iu deshën 1939 vjet për të dalë në dritën e diellit, i mbuluar nga llava që mbuloi atë dhe qytetin romak të Pompei në vitin 79.

Arkeologët e Parkut Kombëtar të Pompei në Itali, kanë deklaruar zbulimin e bujshëm të një stalle ku gjenden format e ngurta të tre kuajve, ku vetëm i pari është analizuar dhe në gjendje optimale.

Kali, që me shumë gjasa i përkiste një gjenerali romak ende jo i përcaktuar, ishte i një race nga më të fismet të kohës, dhe dukej gati për të kalëruar kur u mbulua me mijëra vite nga balta dhe llava e Vezuvit.

Gërmimet që nxorën në pah kalin filluan në mars të këtij viti, në tentativën për të bllokuar trafikantët e gjetjeve historike që shesin artefaktet në tregun e zi, raporton A2News.

Stalla ku gjenden kuajt ishte pjesë e një vile aristokratike shumë të mirëmbajtur, e cila premton surpriza të mëtejshme në muajt në vijim.