Pas ‘Topit të Artë’, Trashi: Nuk e di pse nuk marr ftesë nga Kombëtarja e Panuccit

Futbollisti i Partizanit, Lorenc Trashi foli për ecurinë fantastike te skuadra kryeqytetase.

I ftuar në emisionin “Wake Up” në “Top Channel”, sulmuesi i të kuqve foli për merkaton dhe mungesën e ftesës së Panuccit te Kombëtarja shqiptare.

“Këto 5 vite te Partizani, kam bërë të pamundurën që të fitoj një trofe, e kam nisur me një trofe personal. Shpresoj që në fund ta mbyll me një trofe të madh që të kënaqen të gjithë", tha ai.

A ke gjetur ndonjë arsye pse nuk je ftuar në Kombëtare?

Unë me veten time flas, që si ka mundësi nuk vjen një ftesë, por normalisht nuk është në dorën time. Dëshira është shumë e madhe normalisht.

Kundërshtari më i fort për çmimin lojtari i vitit?

Po marr një rast nga ekipi ynë. Jasir Asani është një lojtar me kualitet. Shumë mirë dhe ai mund ta fitonte këtë çmim.

Kujt ia dedikon këtë çmim?

Unë e kam shprehur edhe më parë, këtë çmim ia dedikoj shokëve të mi. Pa ndihmën e ekipit unë s’mund ta fitoja.

Karriera dhe rinovimi me Partizanin…

Kam qenë pjesë e Lushnjës kur këta të fundit u ngjitën në Superiore. Kam kontaktuar me Partizanin dhe kam ardhur në kryeqytet kur trajner ishte Shpëtim Duro. Është bërë si shtëpia ime e dytë, se nuk është pak 5 vite në një ekip. Kam gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin.