'Nënat e foshnjat e porsalindura po vdesin nga papërgjegjshmëria e qeverisë'

Deputeti demokrat Bardh Spahia ka denoncuar situatën katastrofike në të cilën ndodhen maternitetet shqiptare, në dritën edhe të skandalit të fundit që lidhej me mungesën e inkubatorëve, ku për pasojë janë raportuar disa raste humbjesh jete nga foshnjat apo nënat.

Spahia ka akuzuar Ministren e Shëndetësisë Manastirliu, e cila sic tha ai, i përgjigjet situatës së rëndë në maternitete me propagandë shterpë e boshe, tipike të Rilindjes.

Spahia kujtoi një denoncim të bërë prej tij 1 vit më parë, ku brenda pak ditësh 10 foshnja dhe nëna gjetën vdekjen në rrethana misterioze.

Për fat të keq, tha Spahia, gjendja sot nuk ndryshon nga ajo e një viti më parë, por ka një përkeqësim të saj.

Deputeti demokrat ka folur për përkeqësimin dhe mungesën e aparaturave, që nga inkubatorët dhe mjete të tjera të domosdoshme për shëndetin e nënave dhe fëmijëve të porsalindur, si dhe ka akuzuar për mungesë totale papërgjegjshmërie, qeverinë dhe sidomos ministren përkatëse Manastirliu.

BARDH SPAHIA, DEPUTET I PARTISË DEMOKRATIKE, DEKLARATË PËR MEDIA

Jam këtu sot për të denoncuar me forcë mashtrimet e rradhës së Ministres së Shëndetësisë të qeverisë Rama, e cila me paturpësinë dhe papërgjegjshmërinë më të madhe për gjendjen skandaloze të institucioneve shëndetësore, përgjegjëse për jetën e nënave dhe fëmijëve shqiptarë, zgjedh t’i përgjigjet me një propagandë shterpë, boshe tipike të rilindjes së famshme.

Një vit më parë nqse e mbani mend, denoncova me forcë një rast të tmerrshëm të ndodhur në institucionet e drejtuara nga kjo Ministre ku në 10 ditë, 10 foshnje të posalindura, 10 nëna gjetën vdekjen në kushte dhe rrethana akoma misterioze. Gjendja sot nuk ndryshon aspak nga një vit më parë ku kemi një përkeqësim të situatës përsa i përket aparaturave, gjendjes së strukturave ku nënat dhe fëmija duhet të marrin shërbimin, dhe në papërgjegjshmëri të plotë, kemi deklarata mashtruese, të papërgjegjshme nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe një herë dua të thërras në vëmendjen tuaj denoncimin e tmerrshëm që bëmë ekzaktësisht një vit më parë, për situatën katastrofë ku gjenden strukturat përgjegjëse për jetën e nënës dhe fëmijës, për humbjen e jetës së nënave shqiptare. Në atë kohë me papërgjegjshmëri totale dhe kriminale tentuan nga strukturat e Ministrisë së shëndetësisë për të mbuluar këtë fakt, u intimiduan mjekët shqiptarë, për të mbyllur gojën, për të mos denoncuar dhe e gjitha u la në harresë.

Vetëm pak ditë më parë, një investigim i BIRN, konfirmon akuzat të kësaj situate katastrofale ku ndodhen institucionet shqiptare. Ministria zgjedhë të bëjë propagandë boshe, mashtruese për qytetarët shqiptarë. Me papërgjegjshmëri të plotë, duke harruar se këtu kemi të bëjmë me jetën e fëmijëve shqiptarë, nenave shqiptare. U bëj thirrje të marrin masa urgjente!