Milani dhe Chelsea, shkëmbim i bujshëm Higuain-Morata, por Juventusi bëhet pengesë

Një lëvizje e bujshme në merkato po projektohet në aksin Milano-Londër, me një “ndalesë” edhe në Torino.

Chelsea është prej kohësh në kërkim të një sulmuesi të nivelit të lartë, dhe trajneri Sarri, duket se ia ka vënë syrin Gonzalo Higuainit.

Aventura e argjentinasit te Milani nuk po shkon ashtu siç pritej, dhe sipas “Sky Sports” nga Londra duan ta afrojnë që në muajin janar.

Për të shkuar te ky operacion, Chelsea pritet që të përfshijë edhe Alvaro Moratën, i cili kërkohej në verë nga Milani, por në fund nuk u arrit marrëveshja.

Milani për momentin e ka në huazim “El Pipitën”, për 18 milion euro, me të drejtën e blerjes përfundimtare, duke paguar edhe 36 milion të tjera.

Pra, për të arritur te marrëveshja mes Milanit dhe Chelseat, do të duhet edhe miratimi i Juventusit në Torino, që sipas “Sky Sports”, ende nuk e ka thënë fjalën e vet.