Mos ja mbushni sallën Ramës

Një parodi e madhe po ndodh. Ndërkohë që studentët, gjithnjë e më të shumtë në numër, po i braktisin sallat e Ramës, PD dhe LSI kanë vendosur t’i japin fund bojkotit të Kuvendit duke iu kthyer atij në sallë.

Dhe e bukura nuk përfundon këtu. Kulmi i ironisë është se ata pretendojnë se këtë “sakrificë” po e bëjnë për studentët.

Në fakt protestuesit e dinë shumë mirë se çfarë duan.

Të martën, një vajzë në Universitetin Bujqësor e nxorri bllof show-n e përgatitur gjoja për dialog me Ramën. Në Vlorë, skena u përsërit në përmasa shumë më të mëdha. Studentët që ishin lënë jashtë, hynë në sallë vetëm për t’i thënë kryeministrit se nuk kanë nevojë të dëgjojnë monologjet e tij nga 3- 4 orë në ditë. Ata e etiketuan atë si të padenjë për bashkëbisedim deri sa nuk plotësonte kërkesat më minimale.

Ata u larguan demonstrativisht, duke lënë pas imazhin e një Rame, çehrja e të cilit ngjante si në ditët e veta më të këqija.

Por ajo që po përvijohet nga bashkëbisedimi i Ramës me ata pak studentë të denjë që qëndrojnë në sallë, është edhe më e rëndë.

Ata po japin raste të një varfërie therrëse. Ata po tregojnë shembuj të prindërve të tyre, që jo vetëm nuk kanë mundësi të paguajnë për shkollim, por që nuk kanë shans as të kurohen apo të zgjidhin hallet me këtë administratë. Ata po vënë theksin tek një padrejtësi që u heq çdo mundësi për të ardhmen.

Ata janë të ndërgjegjshëm se të gjitha këto janë në konflikt me realitetin virtual që do të krijojë kryeministri.

Prandaj, njëzëri ata bien dakord se me Edi Ramën dialogu është aq i kotë sa edhe i pamundur.

Po t’i shikosh bataretë verbale të opozitës, ato janë ku e ku më të rënda. Ajo, përpos shkatërrimit të arsimit, luksit që buron nga vjedhja, e akuzon kryeministrin edhe për lidhje me krimin, për drogën, për grabitjen e zgjedhjeve, për njëmijë e një mëkate të tjera.

Dhe kur bën këtë krahasim, në mendje të vjen një pyetje naive: Po pse të parët që ende nuk e kanë shpallur armik, i dalin Ramës nga salla, ndërsa të dytët e ndjekin si qingja nga pas ?

Përgjigjja është e thjeshtë.

Studentët janë të pastër, të çiltër, të pakalkuluar në zemërimin dhe mllefin e tyre. Ata nuk janë bërë endje pjesë e një sistemi që të ul kokën, prandaj sillen ashtu.

Ndërsa PS dhe LSI, e kanë hallin tek mandatet, tek pushteti i të qenit opozitë, tek përfitimet monetare që burojnë prej tij, tek ankthi i të lënurit të skenës bosh, tek gjera banale si rroga, dietat, pagesa e celularëve dhe karburanti.

Të qenit deputetë ata e shohin si status, si pjesë e kastës, si mundësi për të rikapur karrigen e kundërshtarit dhe aspak si ide apo si mision.

Prandaj ata po kthehen kokulur në parlament duke bërë rolin e atyre freshistave, me të cilët Rama po mbush sallat duke i paraqitur si kundërshtarë fallco.

Me rikthimin në parlament, edhe Luli edhe Monika, po kryejnë aktin suprem të një opozite fallco.

Le ta bëjnë, ndoshta është e kotë t’u kërkosh më shumë. Ndoshta është e tepërt të pretendosh të dalin nga guacka ku janë mësuar.      

Le të hyjnë.

Por të paktën të na kursejnë ne të tjerëve skenat heroike se po sakrifikohen për studentët. Le të futen me kokën ulur dhe sytë përmbys, duke mos u tallur me ata që po e refuzojnë me këmbëngulje bashkëbisedimin me Ramën.

Botuar në Lapsi.al