NATO rishikon në 2019 raportet me FSK-në

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, pas miratimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media,  të lëshuar nga NATO.

Sipas komunikatës, thuhet se Stoltenberg i ka konfirmuar Haradinajt se Këshilli Veri-Atlantik ka zhvilluar një diskutim fillestar rreth ligjeve të miratuara për transformimin e FSK-së.

“Sekretari i Përgjithshëm e njoftoi z. Haradinaj se, ndërsa mandati i FSK-së po evoluon, Këshilli Veri-Atlantik do të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në në vitin e ardhshëm”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se NATO do të vazhdojë me misionin e saj të KFOR-it për të siguruar ambient të sigurt në Kosovë, përcjell SYRI.net Kosova

“KFOR-i operon në bazë të mandatit të OKB-së dhe nuk do të preket nga ligjet mbi tranzicionin e FSK-së”, theksohet t’i ketë thënë Stoltenberg-Haradinajt.