Një kufomë mes Ramës dhe studentëve

Të gjitha farsat dhe incidentet që po shoqërojnë farsat e Ramës nëpër universitete, me rektorët e zbardhur nga frika dhe nga “kolaboracionizmi” me mafian në qeveri çuditërisht po shmangin problemin e madh, kufomën që qendron mes të dy palëve. Ajo kufomë është Ligji i Arsimit të Lartë.

I abortuar ende pa u miratuar mirë, i vendosur në ngrirje nga Ministresha e Arsimit, për shkak se është kuptuar se nuk i shërben si duhet klikës që e kishte para-prokuruar si ligj dhe i sabotuar nga qeveria, me anë të vendimit politik për të mos nxjerrë asnjë akt nënligjor, Ligji i Arsimit të Lartë është kufoma juridike që po qelb botën universitare dhe po shkatërron hapësirat për zgjidhje.

Ligjin e Arsimit të Lartë Edi Rama e ka një vijë të kuqe, përtej të cilës ai është i gatshëm të largohet, sesa të ndërhyjë në të, ndërkohë që studentët, s’e përmendin këtë vijë të kuqe, meqenëse e cilësojnë – siç deri më tani ka qenë – një ligj i vdekur, një zombie-ligj, për të cilin duhen menduar modalitetet e varrosjes, dhe jo teknikalitetet e amendimit apo shfuqizimit të plotë.

Kjo kufomë juridike po kundërmon dhe ka nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme. Edi Rama u ka dhënë një mesazh sot studentëve, teksa ka marrë me vete në Vlorë jo zombie-ministreshën, de-facto të shkarkuar, por Arbian Maznikun, njërin nga autorët kryesorë të hartimit të Ligjit të Arsimit të Lartë. Me sa duket, Mazniku është aty për të konfirmuar se kufoma juridike nuk preket, se ajo do të mbetet aty si një vijë e kuqe kundërmuese, përkundër protestave të studentëve dhe nëse do t’ja dalë të mbijetojë politikisht pas stuhisë së protestave, mund të pretendojë edhe të ringjallet si pasaardhës i zombie-ministreshës.

Studentët nuk duhet të kufizohen në javën e tretë të protestave. Kufoma juridike është pengesa kryesore për reformën në universitete. Ajo duhet varrosur dhe s’ka pse kjo të mos jetë një vijë e kuqe e studentëve, në bashkëbisedimet e sforcuara të Edi Ramës me sejmenët e tij në universitete dhe me degët fressh-iste nëpër universitete.