Kosova i bën ligjin, përfaqësuesve të saj në Dialogun me serbët

Përmes një Projektligji të posaçëm për dialog, Kuvendi i Kosovës po synon që të përcaktojë përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror në procesin e bisedimeve me Serbinë. Ky Projektligj, pason miratimin e rezolutës për dialogun dhe formimin e ekipit negociator i cili bashkëkryesohet nga Qeveria dhe një pjesë e opozitës.

Në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës thuhet se “Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar shtetëror i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme dhe të patjetërsueshme”.

Sipas përfaqësuesve të partive politike, Projektligji për dialogun pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

Sipas zyrtarëve të partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë, me miratimin e këtij Projektligji për dialogun, i cili pastaj kalon në ligj, pritet të sqarohen të gjitha kompetenca dhe përgjegjësitë e delegacionit të Kosovës në negociatat me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës do të përkrahë të gjithë mekanizmat të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në bisedime me Serbinë. Këtu ai ka përfshirë mbështetjen edhe për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas debateve të shumta në spektrin politik në Prishtinë se kush do të ketë rolin kryesor në bisedime, ekipi negociator i formuar nga Kuvendi apo presidenti i shtetit.

“Kjo është një situatë e re, në këtë rast Kuvendi ka votuar delegacionin. Tash pozicioni i Qeverisë është që t’i mbështetë institucionet e Kosovës në dialog, pra institucionin e presidentit, institucionin e Kuvendit, në këtë rast delegacionin dhe ata që Kosova i delegon. Pra, detyra jonë t’i furnizojmë ata me materie, me ekspertizë”, tha Haradinaj./REL