Miratohet Rezoluta për bisedimet me Serbinë, ja ekipi i ri negociator i Kosovës

Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot një seancë të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë, bisedime të cilat janë në krizë pas vendosjes së taksës 100% ndaj importeve serbe si dhe formimit të ushtrisë.

Me votat e partive të koalicionit qeveritar si dhe asaj socialdemokrate të formuar më herët këtë vit nga deputetë që u larguan prej Vetëvendosjes dhe e rreshtuar tashmë si forcë në opozitë, 59 deputetë votuan pro një rezolute ku ndër të tjera përfshihet dhe përbërja e një ekipi të ri negociator që udhëhiqet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Në këtë projekt-rezolutë thuhet se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO.

Por, në ekip mungojnë dy partitë më të mëdha opozitare: Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja, të cilat nuk morën pjesë në seancë.

Për shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, platforma për dialog është vetëm Kushtetuta, ndërsa ekip negociator është vetëm qeveria legjitime.

“Ta kemi të qartë se asnjë votim në Kuvend nuk mund të shmangë Kushtetutën. Kosova nuk mund të përfaqësohet në këtë proces të rëndësishëm me pothuaj ekipe dialoguese nga partia e shtatë apo e tetë në Kuvend dhe nga ata që kanë mandate të huaja. Nuk ka proces në Kosovë që mund të zhvillohet pa LDK-në, partinë me mbështetjen më të madhe në vend. Të mos mashtrohet askush”.