Gega: Na prishi punë mungesa e tifozëve

U luajt në “Selman Stërmasi” kryesfida e javës së 17-të e Kategorisë Superiore mes Partizanit dhe Kukësit, shkruan Syri.net.

Ky takim, i cili u zhvillua pa praninë e tifozëve, përfundoi në barazim pa gola.

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, pas ndeshjes foli për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

Skuadra nuk u ngjit në lartësinë e duhur, në repartin e sulmit. Mendonin se ndikoi mungesa e Asanit?

Patjetër që u ndje mungesa e Asanit, në këtë pjesë të sezonit ku jemi, por unë jam i kënaqur për atë që dha skuadra dhe për atë që mori. Mund të kishim bërë më mirë, por sërish rrezikuam pak dhe jam i kënaqur.

U rikthye në fushë edhe Lucas Cardozo, pas shumë muajsh dëmtim…

Vinte pas 4 muajsh ndërprerje dhe mendova t’i jap disa minuta. Nuk duam të na dëmtohet sërish, ndaj duam ta rikuperojmë me qetësi në përgatitjet e dimrit, për ta pasur në fazën tjetër të sezonit si një vlerë të shtuar.

Ka limite kjo skuadër?

Patjetër që ka limite, por sa i përket takimit të sotëm, loja ishte e balancuar, me të dy skuadrat që luajtëm me kujdes dhe siç përfundoi barazim, mund të ishte fituar si nga ne, ashtu edhe nga Kukësi. Jam i kënaqur për impenjimin e sulmuesve të skuadrës, që gjithsesi këta janë.

Jeni i kënaqur me barazimin?

Në fakt ne na peshoi sot edhe mungesa e spektatorëve, që shpresoj të na rikthehen sa më shpejt. Sot bëmë shumë mirë dhe nuk rrezikuam thuajse asgjë, ndaj unë fillimisht analizoj performancën dhe pastaj rezultatin. Mos harroni se sot luajtëm ndaj Kukësit, skuadër që pretendon për titull dhe normale që është rezultat i pranueshëm.

Ndeshja e sotme me Kukësin, apo ajo me Teutën në Durrës?

Kam dëgjuar dhe lexuar gjithçka për ndeshjen në Durrës dhe jam dakord që ishte një ndeshje spektakolare, por unë si trajner zgjedh formatin e ndeshjes së sotme. Mua më pëlqen që skuadra ime të jetë e rreshtuar mirë në fushë dhe të mos rrezikojë asgjë. Jam dakord që në Durrës pati spektakël, por mund të humbje ndeshjen në pak çaste, madje mund të shkonte shumë keq, ndërsa sot ishim më të qetë.

Çfarë mund të bëhej më mirë sot?

Në fakt kur ndeshja del barazim pa gola, tregon se kemi bërë mirë në aspektin mbrojtës, por në sulm këto janë limitet tona. Për momentin kam këtë organikë dhe mundohem të orientoj skuadrën që të luajë qetë dhe të kontrollojë lojën. Nëse do të kem format skuadre që më lejon të luaj më shumë në sulm, do të provoj, por për momentin nuk mund të rrezikoj më shumë se duhet.