Cungu: Portieri i Partizanit ishte në ditën më të mirë, na mohoi fitoren

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, foli pas barazimit pa gola ndaj Partizanit për “Supersport”.

Sipas tekniku shkodran, ekipi verilindor nuk arriti të triumfonte, për shkak të formës mjaft të mirë të portierit Alban Hoxha.

Pas 3 ndeshjesh me fitore ndaleni, ndjen keqardhje për barazimin?

Dëshira është për ta fituar ndeshjen. Ky ishte objektivi. Mundësitë i kishim. Futbolli i tillë është. Nuk po luanim me një ekip dosido. Po luanim me kryesuesit. Jam i kënaqur me atë që djemtë dhanë në fushë. Portieri i Partizanit, ishte në ditën më të mirë të kampionatit me sa kam parë unë.

Nuk keni arritur ta mposhtni Partizanin, çfarë i mungon skuadrës?

Vuajmë në finalizim. Në 2-3 momente zbritëm shumë mirë, mos qetësia për të zgjidhur situatat na ka penalizuar për sa i përket pikëve. Njëherë na ka zbritur kundërshtari në ndeshjen e parë në shënoi. Tani jemi më solid.

Ndeshja e katërt pa pësuar gol…

Dëshira dhe objektivi ishin për të marrë 3 pikë. Ekipi po shfaq dhe lojëra të mira. Nga 12 pikë iu afruam në 5 pikë kundërshtarit. Një trepikësh do ishte shumë i ngrohtë. Jam i kënaqur pjesërisht. Edhe barazimi është “OK”. Për sa i përket vendosjes, ky është sistem loje.