Mbrojtësi i Kukësit: Sfida me Partizanin nuk është përcaktuese për titullin

Qëndroi te Partizani vetëm një sezon, por aq mjaftoi për të bërë për vete zemrat e tifozëve të kuq.

Ardian Cuculi do ta përjetojë në mënyrë të veçantë përballjen me ish-skuadrën e tij, pavarësisht se detyra ia kërkon të mos shpërqendrohet për ta ndihmuar Kukësin të shkojë te fitorja.

31-vjeçari nuk e konsideron barazimin një hap negativ.

“Te Partizani kam kaluar një sezon mjaft të mirë, por tashmë jam futbollist i Kukësit dhe mendoj për skuadrën aktuale. Do të jetë një sfidë mjaft e vështirë, ku edhe një pikë do të ishte shumë e rëndësishme”, deklaroi mbrojtësi i verilindorëve.

Pavarësisht se duket si një sfidë vendimtare për Kukësin, Cuculi nuk i shton dozat e presionit mbi ekipin e tij dhe sipas qendërmbrojtësit ndeshjet e shumta që ka deri në fund e largojnë fjalën “përcaktuese” nga ky takim.

“Do të jetë ndeshje e rëndësishme, pasi ata janë në krye, por nuk është vendimtare për titullin, pasi ka mbetur më shumë se gjysma e kampionatit për t’u luajtur, ndaj mund të rikuperojmë”, tha Cuculi.