Marrëdhëniet me Dukën dhe premtimi i Panuccit: Himnin do e mësoj në Europian

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, i ftuar në emisionin “Rudina” në TV Klan, foli për ekipin e Shqipërisë, por edhe për familjen në përgjithësi.

“Jam shumë i lumtur në Shqipëri, kam gjetur një vend të madh, me dinjitet të madh. Me një reagim të madh ndaj të ardhmes. Jam i lumtur që gjendem këtu”, tha fillimisht tekniku italian.

Në lidhje me shortin e eliminatoreve të EURO 2020, Panucci theksoi: “Franca është favoriti për këtë grup, dhe ne duhet të bëjmë diçka të veçantë për të mundur Islandën dhe Turqinë. Nisemi me një vullnet të mirë. Ndeshjet duhet të fitohen. Do të jenë të vështira, për mua e rëndësishme është që rikuperojmë të gjithë lojtarët”.

Përsa i përket gjendjes së kuqezinjve, ai u shpreh: “Ka qenë një vit shumë i vështirë, sepse na kanë munguar shumë lojtarë. Ka qenë një vit miqësoresh, dhe Liga e Kombeve. Po mundohemi të ndërtojmë një grup me lojtarë të EURO 2016, por edhe disa të rinj. Gjatë shortit po dridhesha, sepse doja të mos na binin disa skuadra”.

Panucci tregon edhe për marrëdhëniet që ka me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.

“Është një person special, i veçantë për mua. Për mua ka qenë një vit i vështirë, dhe më ka dashur. Jemi përballur me sinqeritet dhe ndershmëri. Kemi pasur shumë probleme me ekipin këtë vit. Edhe pse gazetarët më kritikonin, ai ka kuptuar momentet. Ai e di që kur të kemi të gjithë grupin, do jemi konkurrues. Unë jetoj çdo ditë që t’i rikthej Dukës besimin që më ka dhënë”, pohoi Panucci, i cili tregon edhe pse nuk e ka mësuar himnin e Shqipërisë: “Duhet të mërziteni me Dukën, që mendon se është e rëndësishme skuadra, se sa himni. Kur të shkoj në Europian, do e mësoj himnin”.