SHBA konfirmoi vjedhjen e 19 milionë dollarëve, Gjiknuri: Ja kur do ta jap dorëheqjen

Ministri Damian Gjiknuri doli sot para medias, për të folur për skandalin e tenderit të Unazës së Re por nuk pranoi asnjë përgjegjësi, qoftë edhe morale. Ai deklaroi, se kompania fituese e “Loti 1” (Sheshi Shqiponja) ka falsifikuar dokumentet dhe kjo është dokumentuar jo nga pala shqiptare, por nga autoritetet amerikane.

Bëhet fjalë për kompaninë DH Albania, e cila sipas tij falsifikimin e dokumentacionit e ka kryer jashtë territorit të Shqipërisë.

Por ministri i Infrastrukturë Damian Gjiknuri  ka refuzuar që të marrë përgjegjësi për këtë skandal të paprecedentë, madje ka marë në mbrojtje edhe autoren e tenderit të stisur ARSH. Ai ka pohuar se tenderi është anuluar dhe se çështja i ka kaluar Prokurorisë shqiptare, por ka mohuar implikim e tij dhe të vetë Autoritetit Rrugor Shqiptarë. Gjiknuri gjithashtu e transferoi gjithë përgjegjësinë jashtë territorit shqiptarë.

“Materialet do t’i referohen prokurorisë shqiptare. Të njëjtën praktikë ka ndjekur edhe OST. Kontratat nuk kanë nisur të zbatohet. Dua të them se falsifikimi i dokumenteve janë bërë jashtë territorit të Shqipërisë”, tha para gazetarëve ai.

I pyetur nga gazetarët për përgjegjësinë e tij si ministër i dikasterit përgjegjës, Gjikuri deklaroi se nuk ka gisht në këtë aferë dhe vetëm nëse del gjatë hetimit implikimi i tij, vetëm atëherë do të konsiderojë aktin e dorëheqjes, nga posti i ministrit.