Gjoka merr fitoren e parë me Kamzën, por ka këtë shqetësim

Ernest Gjoka mori fitoren e parë pas 3 ndeshjesh nën drejtimin e Kamzës, por në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, shprehu shqetësimin në lidhje me dëmtimet që po shoqërojnë skuadrën.

Riktheheni te fitorja pas rreth 3 muajsh…

Është shumë e rëndësishme që u rikthyem te fitorja, pasi është pikërisht ky rezultat që të rrit moralin, optimizmin dhe humorin për vazhdimësinë. Megjithatë më vjen keq që morëm një fitore me shumë kosto, pasi edhe sot bëmë 3 ndërrime të detyruara dhe Frashëri sakrifikoi.

Sa besim keni te kjo skuadër?

Kam djem me karakter në ekip, të cilët luajnë dhe sakrifikojnë, por problemi ynë është diku tjetër. Shumë lojtarë kanë sakrifikuar më herët, duke luajtur pa u rikuperuar mirë dhe tashmë po na dalin në pah dëmtimet e vjetra. Unë tani po mendoj se si do të përgatis skuadrën për ndeshjen e ardhshme, pasi po përballemi me shumë mungesa, që sot u shtuan.

Ju shqetëson rënia e skuadrës në pjesën e dytë?

U duk sikur skuadra ra disi fizikisht, por sakrifikuam më tepër se duhet, për t’i ndenjur pranë Teqjas, pasi po luante i dëmtuar. Megjithatë kjo ishte një ndeshje ku vlente vetëm fitorja dhe mes asaj situate dhe atij tensioni, normalisht që do mendonim pak më shumë për të mbrojtur avantazhin.

Si janë marrëdhëniet mes presidentit dhe kryetarit të Bashkisë? A ju kanë dhënë garanci ata në punën tuaj?

Ata janë marrëdhënie private dhe normalisht që nuk mund të të përgjigjem unë për këtë çështje. Unë uroj dhe besoj se gjërat do të shkojnë mirë.