VIDEO/ Ish-kryeministri Berisha për 8 dhjetorin: Ditët më historike të Shqipërisë

Sot kujtohet 8 dhjetori i vitit 1990, dita kur studentët shqiptarë u ngritën kundër diktaturës komuniste.

Duke folur në takimin e organizuar në Qytetin Studenti nga Partia Demokratike, ish-kryeministri dhe themeluesi i PD-së, Sali Berisha u shpreh se ato ishin ditë historike.

Pjesë nga fjala e ish-kryeministri Sali Berisha:

Ditë si kjo, janë ditë kujtimesh, mbresash.

Për mua, këto janë ditët e shtrëngatave emocionale më të fuqishme, për ato përjetime të 28 viteve më parë.

Janë ditët e ‘genezës’. Në 28 vite kemi pasur ditë të mëdha, të bekuara dhe të vështira, por ditët e dhjetorit 1990 janë ditët e gjenezës së 3 dekadave të Kombit Shqiptar.

Për mua janë ditët në të cilat unë përjetova mrekullinë më të madhe të jetës time.

Studentët ishin të vetmuar, pak qytetarë ishin në krah të tyre,  përballë kishim autoblinda e policë, ishin heronj të pamposhtur.

I dolën përballë diktakturës më të egër të Europës.

Ata ishin heronj sepse ai marsh, ishte një marsh mesianik. Unë ju them ju këtu se vetëm 20 minuta pas protestës së parë në 1990, përcollën mesazhin e parë dikakturës: Liro studentët ose sheshi Skëndërbej do sheshohet.

Ata ishin heronj, sepse ata u ngritën kundër etërve të tyre, sepse duhet të pranojmë historinë në sy, studentët ishin të privilegjuar, e ne pedagogët ishim më të privilegjuar.

Por më pas edhe etërit u bashkuam me bijtë e tyre.

Më pas dolën në këtë shesh për të kërkuar pluralizëm politik.