Prokuroria hetim pasurisë së Emiliano Shullazit

Transferohet në Prokurorinë e Tiranës përplasja mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit Ylvi Beqja. Pavarësisht se është dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, Ylvi Beqja është edhe vetë në hetim, pasi ka dyshime se me transfertat e tij bankare ka pastruar para. Të dyja këto çështje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kaluan te ajo e Tiranës për kompetencë disa ditë më parë.

Biznesmeni mësohet se është paraqitur në Prokurori nën ruajtjen e policisë, për t’u pyetur në lidhje me hetimin për pasurinë që po kryhet ndaj Shullazit.

Ai ka qëndruar rreth një orë në organin e akuzës, ku mësohet se është pyetur në lidhje me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, 30 % të së cilës ia kaloi në pronësi Emiliano Shullazit. Sipas Beqjas, këtë e kishte bërë nën kërcënim dhe presion. Kjo pronë është nën sekuestro nga Prokuroria deri në përfundimin e hetimit të nisur.

Gjykata e Krimeve të Rënda, në datën 13 nëntor dënoi me 55 vite burg në total Emiliano Shullazin dhe 4 bashkëpunëtorët e tij. Dëshmia e Beqjat ishte një ndër provat kryesore që pati Prokuroria në këtë proces dhe që bindi gjykatën për të dënuar me 14 vite burg Shullazin, si drejtues të grupit kriminal.