Ish-sulmuesi i Kukësit ‘zhbllokohet’ në Belgjikë

Goli i tretë sezonal dhe i dyti në Kupën e Belgjikës i Sindrit Gurit i hapi rrugën Oostendes drejt kualifikimit në çerekfinalet e këtij kompeticioni.

Ish-sulmuesi i Kukësit rezultoi sërish përcaktues në Kupën e Belgjikës realizoi golit barazimit provizor 2-2 që çoi ndeshjen mes Mouscron dhe Oostendes në shtesë.

Ishte një derbi shqiptarësh në fakt, pasi me Mouscron luan mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Mërgim Vojvoda, që ashtu si Guri e nisi sfidën si titullar.

Në minutën e 81-të vetëm pak sekonda pasi vendasit kishin kaluar në avantazh, Guri u zhbllokua pas një kohë të gjatë duke barazuar 2-2 dhe duke e çuar ndeshjen në shtesë.

Në shtesë Oostende kaloi në avantazh 2-3, por vendasit arritën të barazonin në 3-3 dhe për të përcaktuar skuadrën e kualifikuar u deshën goditjet e penalltive aty ku miqtë u treguan më të saktë për të fituar në fund 5-4 me penallti dhe për të avancuar më tej.