Çfarë di Xhafa që Edi Rama e hedh atë në turrën e druve?

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili shkruan mbrëmjen e sotme në lidhje me sulmin që Edi Rama ka ndërmarrë ndaj Fatmir Xhafajt.

Sipas Vasilit, Xhafaj duhet të dijë diçka të madh që Rama e hedh në turrën e druve.

Reagimi i Petrit Vasilit në Facebook:

Edi Rama vetëm tani njohu Fatmir Xhafën.

Media e acaparuar trashë, po kaq trashë bën sikur zbulon Xhafën sot.

Po e njëjta media që ka shkruar elegji dhe antologji të tëra mediatike për Xhafen ideator e realizues të Reformës në Drejtësi, zbatues i Reformës në polici, njeriut që godiste grupet kriminale, që asgjësonte drogën e Tahirit etj., etj., sot post mortum zbuloi Xhafën ‘e vërtetë’.

Se sa i madh është akaparimi, trasta apo zhakja, gjejeni vetë emrin, këtë e di vetëm Edi Rama se është edhe ai hallexhiu i madh, po vërtet hallexhiu i madh.

Top Channel nuk tha asgjë të re për Xhafajn, por rixhiroi një film të vjetër me një çmim të ri, për një hesap të ri dhe për një hall të madh të ri të Edi Ramës.

Xhafaj është po i njëjti, por Rama ka ndryshuar ... nga halli i madh.

Çfarë di Xhafa që i dhemb kaq shumë Edi Ramës që e detyron të urdhërojë djegien e tij në turrën e druve?