Përse janë zemëruar studentët?!: Ja gjobat dhe pabesitë e qeverisë

Është dita e dytë, që studentët e kryeqytetit janë ngritur në protesta masive dhe pritet që atyre tu bashkohen edhe “bashkëvuajtësit” e tyre në gjithë universitet e vendit. Shkëndija për këtë “kryengritje” e cila ka nisur me bojkotin e mësimit dhe bllokimin e rrugës përpara ministrisë së Arsimit ka qenë vendimi i fundit i qeverisë Rama, për pagesën e krediteve për çdo provim. Vendimi parashikon pagesë 670 lek/kredit në nivelin Bachelor. Kujtojmë se një lëndë ka 5-10 kredite. Ndërsa për studentët e masterit tarifa është dhe më e lartë 1700 lek/kredit.

Me një llogari të thjeshtë, del që çdo studenti që ka provime të mbartura nga viti i kaluar i kërkohet të paguajë menjëherë deri në 7000 mijë lekë  (70 mijë te vjetra), për të hyrë në këto provime. Gjithashtu si asnjëherë më parë, studentëve u është kërkuar që të paguajnë gjithë tarifën vjetore të shkollimit paradhënie, brenda datës 15 Dhjetor të këtij viti.

 Të gjitha këto ndryshime që prekin fortë xhepin e familjeve të studentëve janë bërë, pa asnjë konsultim dhe paralajmërim. Këto janë gjoba të qeverisë, sikur të mos mjaftojnë ato të pedagogëve në shkëmbim të marrjes së provimeve. Ne i kemi familjet e varfra dhe nuk kemi ku ti gjejmë në një dorë 400 mijë lekë deri më datë 15 Dhjetor -tha për Syri.net, një nga protestuesit.

Ata kanë refuzuar që të hyjnë në bisedime me ministrinë e Arsimit, duke deklaruar të vendosur, se e vetmja zgjidhje është heqja dorë nga këto gjoba të vëna në mënyrë të pabesë ndaj tyre.

Studentët deri në këtë fazë të protestës kërkojnë: heqjen e tarifës për provimet e mbartura dhe pagesë me këste të tarifës vjetore të studimit. Por duket se pas shurdhërisë së qeverisë, kërkesat e tyre do të shtohen. Ata gjithashtu kanë paralajmëruar se nëse qeveria Rama, do të bëjë edhe në rastin e tyre “shurdhin”, ata do të radikalizojnë protestën e tyre, duke ftua prindërit, familjarët dhe gjithë qytetarët e gjithë Shqipërisë në protesta pa afat.