Aksidenti i rëndë, 5 të vdekur dhe 32 të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur kur një autobus është përplasur, me një taksi dhe si pasojë kanë vdekur 5 persona dhe janë plagosur disa të tjerë.

Aksidenti ndodhi në orët e para të së premtes në Hong Kong. Sipas “The Telegraph”, aksidenti i rëndë ndodhi konkretisht në ishullin e Tsing Yi, që është i lidhur falë një autostrade me aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut në ishullin fqinj Lantau.

Vdekja e pesë personave dhe plagosja e 32 të tjerëve u shkaktua nga përplasja e fuqishme e një autobusi, që transportonte punonjës në aeroportin ndërkombëtar, me një taksi të ndaluar në stacionin e saj përkatës.

Sipas të njëjtës media, të plagosurit përpara se të dërgoheshin nëpër 4 spitalet e ndodhura pranë, u trajtuan fillimisht anës rrugës ku ndodhi aksidenti. 

Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe në shkurt në Hong Kongun verior, ku një shofer autobusi për shkak të tejkalimit të shpejtësisë shkaktoi vdekjen e 19 personave dhe plagosjen e 60 të tjerëve.