Elvana Gjata vjen si ‘ilegale’ në Shqipëri, dëshmon natën në prokurori dhe ‘arratiset’ përsëri

Elvana Gjata ka qenë në Shqipëri, ka hyrë si “ilegale”, ka dhënë dëshminë dhe është “arratisur” përsëri. Këngëtarja është përballur me prokurorët e çështjes pak ditë më parë, veprim hetimor që është mbajtur në sekret të plotë. Prokuroria e Tiranës ka marrë dëshminë e këngëtares Elvana Gjata në lidhje me ngjarjen e 4 tetorit në zonën e ish-Bllokut, ku u vra Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj e Eljon Hate.

Këngëtarja Gjata, e fejuara e biznesmenit Ervin Mata, u shpall në kërkim policor pas ngjarjes, pas dyshimeve se një ngacmim drejt saj nga Fabian Gaxha ishte zanafilla e konfliktit që përfundoi me një të vrarë e dy të plagosur. Pyetja e saj në prokurori nuk ishte bërë e mundur me herët për shkak se Gjata largua nga Shqipëria disa orë pas vrasjes. Këngëtarja e njohur është kthyer në Shqipëri para një jave përmes aeroportit të Rinasit. Duket se ajo ka pritur të kalonte afati 30 ditor, kohë e nevojshme për shuarjen e urdhrit të kërkimit policor. Sipas burimeve pranë prokurorisë, Gjata është kthyer në Shqipëri përmes Rinasit, duke zgjedhur avionin e një linje që ka prekur pistën në orët e vona të natës.

Para prokurorëve Gjata ka dhënë shpjegime për takimin dhe bisedën e konsumuar mes saj dhe të fejuarit Ervin Mata para hyrjes së lokalit pak para ngjarjes. Burimet nuk dhanë detaje për pohimet e këngëtares, por theksuan se ajo është pyetur edhe nëse ka dijeni për konflikte të partnerit të saj Mata, apo për vendndodhjen e tij aktuale.

Të dielën në Policinë e Tiranës u vetëdorëzua Ajaks Boshnjaku, i kërkuar për ngjarjen. Ai u lirua pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, që caktoi për të “detyrim për paraqitje”.

Më herët gjykata liroi duke caktuar të njëjtën masë sigurie Geldo Hotin, i arrestuar pas ngjarjes.