FOTO/ U lirua Alban Hoxha, ky është formacioni i Partizanit në derbin ndaj Tiranës

Të premten në orën 18:00 në stadiumin “Selman Stërmasi” do të luhet derbi i kryeqytetit ndërmjet Partizanit dhe Tiranës e vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore.

E gjithë vëmendja është tek Alban Hoxha i cili ditën e djeshme ka lënë ambientet e paraburgimit, pasi u ndalua nga policia për shkak se drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Gjykata e Tiranës ka dhënë dje masën e sigurisë për veprën e kryer nga kapiteni i kuq, i cili pas tri ditësh ka rifituar lirinë. Masa e dhënë dje nga trupi gjykues për 31-vjeçarin është detyrim paraqitjeje.

Kështu që çështja e tij mbetet nën hetim dhe Hoxha është i detyruar të paraqitet sa herë që do të jetë e nevojshme, deri kur dosja të shkojë për gjykim final.

Por tekniku i “Të Kuqve” Skënder Gega pritet të aktivizojë Alban Hoxhën si titullar në një ndeshje kaq shumë të rëndësishme.

Ende nuk ka asnjë lajm zyrtar por, për aktivizimin e tij pritet një vendim unanim nga drejtuesit e lartë, stafi teknik, mbase edhe nga shokët e ekipit, që pa dyshim e mirëpresin.

Dje Hoxha është lënë pushim që të rrijë pranë familjes së tij, ndërsa sot ai pritet që t’i bashkohet ekipit në stërvitje.

'Panorama Sport' ka publikuar formacionin e mundshëm të Partizanit për duelin ndaj bardhebluve.