4000

Me rastin e Festës së Flamurit

Sonte do të futem drejt e në shtëpinë tënde. Pa të pyetur fare do të të them se do të shemb këto dy faqe muri, pikërisht ato anë ku ndodhet dhoma jote e gjumit.

Aty ku ti ke bërë dashuri me gruan tënde, ku ka lindur vajza jote, dhe ku ke varur fotografinë tënde në çift ditën e dasmës. Të gjitha kujtimet e tua do të fshihen, por nuk është kjo më e keqja. Në fakt e keqja vjen më pas, por mos ndalo, vazhdo deri në fund.

Unë sillem si harbut, të fyej, nuk të llogaris fare si qenie humane, por ty dhe familjen tënde ju konsideroj qenie inferiore, të mangët nga inteligjenca dhe trutë e kokës, dofarë shpellarësh që duhen shtypur si insektet.

Për këtë arsye, unë nuk lodhem të gjej ndonjë rreng të sofistikuar, por i bie shkurt; të them se këtë shtëpinë tënde prej dy dekadash do ta shemb përfare, por ama, unë do të të paguaj 3 vjet qeranë e shtëpisë. Çfarë altruizmi i paparë!

Ti kundërshton me forcë, proteston prej 25 ditësh, bllokon rrugën, mblidhesh para Parlamentit teksa dëgjon live Edi Ramën që të shanë në vetë të parë, dhe nuk e konsideron fare ekzistencën tënde, ndërkohë; rrihesh, arrestohesh, tallesh, deformohesh, anatemohesh, sulmohesh, censurohesh, degjenerohesh, sakatosesh, tallesh; e pse?!

Sepse po mbron pikën e vetme në Glob për të cilën ti je gati të flijohesh. Po mbron a-në e parë dhe të fundit të Atdheut; themelet dhe kulmin ku gjallon familja jote, arsyeja pse ti ekziston në këtë botë.

Në këto rrethana ekstreme, çfarë mbetet?!

Por nuk mbaron këtu. Këto nuk po ndodhin në Honolulu ose në Neë Delhi. Komshiu yt i parë që nuk i prishet shtëpia zakonisht rri brenda kur ti proteston. Nëse përballet me ty, të shpreh keqardhjen, por thellë thellë ndjehet me fat se Edi Rama u mjaftua me vetëm 40 milion euro, e jo ta zëmë me 80 milion. Në rastin e dytë, me siguri edhe ai do të ishte krah teje duke protestuar. Çfarë fati i paparë!

317 shtëpi shqiptarësh do të shemben. Ato nuk janë shpella indianësh. 3000 deri në 4000 shqiptarve u shuhet investimi i jetës. Të paktën 600 fëmijëve u prishet fëmijëria në mënyrë të pakthyeshme. Këta fëmijë nuk janë kongolez ose nigerian. Qindra biznese mbyllen përfundimisht. Shqipëria nuk është në luftë, dhe kjo nuk është një katastrofë natyrore.

Në fakt, katastrofa e vertetë është indiferenca dhe meskiniteti, vaniteti dhe mosqytetaria, depresioni dhe vulgariteti, frika dhe varfëria që ka mbërthyer krejt shoqërinë shqiptare. Po, me dhimbje duhet pranuar ky fakt.

Sepse në rrethana të tjera, në një vend tjetër, në Rumani ose në Francë, në Gjermani ose në Itali, Edi Ramën dhe Erjon Veliajn do t'i kishin varë për gjuhe. Kjo nuk është një mënyrë të shprehuri, por është kuptimi i parë i kësaj fjale.

Pikërisht për llapën e gjatë me të cilën po agresojnë shqiptarët.

Dhe të mendosh se nesër festojmë 106 Vjet Pavarësi, e me këtë rast, bash Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj po shkatërrojnë 4000.

Çfarë 4000?! Qenër?! Viça?! Lopë?! Egërsira?! Derra?! Shpellarë?! Drurë pylli?!

Jo, janë shqiptarë, si unë e si ty.