VIDEO/ Ismail Keta: Feriti do t’i nderojë shqiptarët në duelin me turkun

Dueli mes Ferit Ketës dhe Fatih Mehmet Karakus po troket. Provokimet e shumta të luftëtarit turk gjetën përgjigjen e djaloshit nga Bulqiza, i cili pranoi të përballej sërish me kundërshtarin e tij dhe në disiplinën që ky i fundit dëshironte, në Kickboks.

Përgatitjet e 29-vjeçarit kanë vijuar me ritme të larta në Mynih të Gjermanisë nën monitorimin e trajnerit të tij, Ismail Ketës.

Ish-kampioni i botës në thaibox zbulon edhe arsyet se përse vendosi të pranonte sfidën që Karakus i parashtroi Feritit.

Ferit Keta u përball në fillim të shtatorit me rivalin turk, por në sportin e boksit, ku dominimi i shqiptarit ishte evident, tashmë do të ketë një tjetër duel, në “mejdanin” ku luftëtari nga Kirikale ndihet më i fortë, duke qenë se ka mbajtur dy tituj kampion bote, ndërkohë që bulqizaku zotëron titullin e kampionit të Europës në Kickboks.

Më 8 dhjetor në Mynih ky duel do të jetë “main event” i “Keta Fight’s Gala” dhe pritet të jetë një përballje vërtet e zjarrtë, sepse të dy luftëtarët zotërojnë aftësi të veçanta.