Shqiptarët bëjnë ‘ligjin’ në Zvicër, 4 lojtarë në formacionin më të mirë të javës

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, duket se po rilind që pas transferimit te skuadra e Grasshopers në kampionatin zviceran të futbollit.

25-vjeçari është përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës, pas paraqitjes dinjitoze në sfidën ndaj St Gallen, që u fitua nga skuadra e tij me rezultatin 2-1.

Ajeti ishte një nga më të mirët në fushë dhe e ka merituar padyshim vendin në formacionin e javës.

Por, mbrojtësi i Kombëtares kuqezi nuk është shqiptari i vetëm në formacionin më të mirë.

Aty bëjnë pjesë edhe dy mesfushorët, Hekuran Kryeziu, Bastien Toma, si dhe sulmuesi Demhasaj.

Mesfushori Hekuran Kryeziu shënoi dy gola në barazimin e Zurich ndaj Xamax (3-3).

Bastian Toma po ashtu ishte vendimtar me golin e tij, duke i dhënë fitoren Sionit ndaj Thunit.

Shkëlqim Demhasaj ishte protagonist në barazimin 1-1 që Luzern arriti me Baselin, duke dhënë asistin në golin e shënuar nga Pascal Schurpf.