Tirana në fund të tabelës, Hyka: Më qan zemra për këtë klub!

Jahmir Hyka ka menduar t’i japë zemër skuadrës së Tiranës.

I pranishëm gjatë sfidës mes bardhebluve dhe Skënderbeut, ish-lojtari i bardhebluve ka dhënë një intervistë për ‘Panorama Sport’ ku analizoi gjendjen e keqe që ndodhet klubi kryeqytetas.

Tani që është pjesë e San Jose Earthquakes, Hyka rrëfen se ekipi bardheblu nuk prodhon shumë raste për gol, madje dhe ato që krijon i shpërdoron.

“Pjesa e parë ishte shumë e mirë për ekipin e Tiranës. Krijuan volum loje, por munguan rastet e pastra për gol dhe nuk ka finalizim përpara portës. Një defekt që duhet të rregullohet medoemos”, është shprehur në fillim Jahmir Hyka.

Mesfushori e thotë qartë se nuk e pranon këtë gjendje të Tiranës, pas vitit që bardheblutë u kthyen në Superiore.

 “Lëngoj që shoh Tiranën në këtë gjendje në fund të tabelës. Sepse për këtë klub na “qan zemra”. Me çfarë po shoh në fushën e lojës kanë shpresa që të ngjiten goxha lart. Po bëjnë lojë të mirë, por rezultatet po mungojnë. Në krahasim me kohën tonë Superliga ka më pak nivel. Ndoshta është çështje periudhe”, përfundoi ai.