Igumeni i Deçanit zbulon: Po punohet në fshehtësi për ndarjen territoriale të Kosovës

Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjic, deklaroi se ka informacion nga burime të besueshme se po punohet aktivisht në hollësitë e ndarjes territoriale të Kosovës sipas parimit etnik dhe se negociatat për këtë po zhvillohen në rrethe shumë të ngushta dhe në fshehtësinë më të madhe.

Në një intervistë dhënë të përjavshmes NIN, igumeni Janjic tha kjo po ndodh në mënyrë që të ketë disa “elemente të mbrojtjes për pjesën tjetër të popullsisë serbe që do të mbetet në anën tjetër të kufirit si dhe për disa manastire”, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se duke pasur parasysh kapacitetet institucionale dhe demokratike të Kosovës, nuk duhet shumë imagjinatë që ta marrësh me mend se si do të funksionojë e gjithë kjo: “Qëllimi është që Kosova të përfshihet në sistemin e Kombeve të Bashkuara, e pastaj nuk do të ketë pengesa për bashkimin e Prishtinës me Tiranën” dhe  “në fund Serbia as që do të duhej të pranonte Kosovën”.

“Serbia do të kufizohej me Shqipërinë , përkatësisht do të ndodhte ajo që presidenti i Serbisë edhe vetë e kishte thënë një kohë, “kufizimi midis serbëve e shqiptarëve” ka thënë Janic.

“Nëse ky do të jetë kompromisi që do të duhej të “shpëtonte fytyrën” e atyre që duhet të vënë firmën në atë dokument, atëherë do të jetë shumë interesante se si popull në Serbi do të sillet me atë mashtrim me të ri dhe të injorojë dhjetëra mijë bashkëkombës të vet dhe gjithë atë që na ndërlidhin me serbët, që me shekuj jetojnë para nesh, për ç’ka kanë jetuar e janë sakrifikuar” ka thënë igumeni i manastirit të Deçanit, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se “ridefinimi i kufirit është vetëm një eufemizëm dyfytyrësh i farkuar për ndarje etnike-territoriale të Serbisë, siç ishte quajtur “zgjidhja përfundimtare” për eliminimin e hebrenjve në Gjermaninë naciste”.

Sipas fjalëve të tij, përdoren termat “korrigjimi i kufijve”, “demarkacioni” dhe të  ngjashme, që të gjitha me qëllim të fshehjes së qëllimeve thelbësore.