Keqpërdorimi tinzar i policeve femra nga Kryeministri Rama

Nga Ilmi Rehova

Kryeministri Edi Rama ka kohë që përgatitet për një situatë të tillë: të shfrytëzojë policet femra për të diskredituar protestat dhe përplasjet e qytetarëve me qeverinë e tij. Në çdo protestë, që nga dita e parë në pushtet, ai ka vënë përherë në rreshtin e parë të forcave policore policet femra.

Ato janë forca normale policore, më së shumti police të trafikut rrugor, por në mënyrë të papërgjegjshme dhe, me gjasa, në shkelje të rregullave të policisë, ato përdoren si forcat policore të rreshtit të parë në përballjen dhe kontrollin e protestave qytetare.

Të pastërvitura, të papajisura, të paorganizuara dhe të painstruktura për përballjen e turmave dhe trazirave dhe të paafta për neutralizimin e elementëve që nxisin dhunë, ato, në të vërtetë, përdoren si “mish për top” nga Kryeministri Edi Rama—për të kontrastuar sa më shumë dhe paraqitur në mënyrë sa më negative çdo lloj proteste dhe çdo lloj përplasje të qyetarëve me policinë.

Ndërsa përdorimi i mjeteve të dhunshme, sot, nga protestuesit është i dënueshëm dhe i pajustifikuar, përdorimi i policive të reja, të papërvojë, pa aftësi dhe mjete për t’u përballur me turmat, duhet të hetohet dhe drejtuesit e policisë që i pozicionuan dhe u dhanë atyre detyrat duhet të mbajnë përgjegjësi.

Përdorimi i policeve femra, dhe në përgjithësi i policëve të paspecializuar dhe pa pajisjet minimale për përballjen e turmave dhe trazirave publike, është i dënueshëm, si nga rregullat e brendëshme të policisë ashtu edhe nga ligjet e sigurisë në punë të punonjësve.

Pamjet e stome të polices së plagosur nga kapja me dorë e një shashke zjarri, dhe reagimi amator i kolegëve të saj, përveç ndjenjës së dhimbjes njerëzore për të, ishte dëshmi e një policie krejtësisht të paaftë dhe të papajisur për detyrën e saj, e cila ishte e rrezikuar nga veprime rutinë protestuesish.

Kjo praktikë cinike e drejtuesve të policisë, e bërë me synime propagandistike, por që rrezikon jetën, jo vetëm të policëve por edhe të qytetarëve protestues, duhet të ndërpritet menjëherë.

Akoma më e rëndësishme, Kryeministri Rama duhet të ndalojë së shfrytëzuari për qëllime politike punonjëset e pambrojtura të policisë.

Kryeministri Edi Rama është, sot, përgjegjës përpara prindërve të polices qe humbi gishtat e dorës, po aq sa edhe protestuesit që hodhën shashkën në drejtim të saj. Madje Zoti Rama është përgjegjës më shumë se protestuesit: ndërsa protestuesit, me gjasa, nuk e shënjestraun policen e plagosur në mënyrë të qëllimshme, Kryeministri  e përdori atë me paramendim duke e vën qëllimisht në rreshtin e parë të përballjes me protestuesit me shpresën tinzare që ajo do të lëndohej nga përplasja me ta, dhe ai do ta përdorte këtë fakt për të diskredituar protestën dhe protestuesit.

Dhe kështu ndodhi. Fatkeqësisht.

Ndaj Kryeministri Rama dhe drejtuesit e policisë, që zbatojnë në praktikë planet tinzare të Kryeministrit, nuk duhen lënë t’ja hedhin me kaq për rrezikimin për qëllime politike të jetës së policëve. /Exit.al.