Buxheti i ri, Opozita e bashkuar nis diskutimin me biznesin në seancë paralele me Kuvendin

Ndërkohë që mazhoranca sot do të hyjë në seancën plenare të Kuvendit për të vijuar me projektbuxhetin e vititi 2019, Opozita e bashkuar do të zhvillojë paralelisht një seancë me grupe interesi që preken direkt nga Buxheti që po ndërton mazhoranca në qeverisje.

Do të jetë deputetja e PD, Jorida Tabaku, nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, drejtuesja e takimit ku janë ftuar grupe interesi, shoqata biznesi, biznesmenë, pronarë, fermerë etj.

Tabaku do të dëgjojë opinionet e tyre dhe do të paraqesë në diskutim, alternativat e opozitës për një buxhet që mbështet dhe ndërton ekonominë.

Opozita e bashkuar e ka konsideruar buxhetin e 2019-ës si më të dështuarin, për shkak të borxheve të mëdha që ka akumuluar qeveria me kontratat koncensionare dhe me skemat që rëndojnë shumë mbi familjet e varfra.