Parashikimi doli i saktë, ja çfarë kishte thënë Fadil Vokrri për grupin e Kosovës

Shorti për grupin e Kosovës në Ligën e Kombeve ishte hedhur në janar të këtij viti në Lozanë të Zvicrës, në një ceremoni ku mori pjesë edhe presidenti i ndjerë i FFK-së, Fadil Vokrri.

Suksesi i deritashëm i Përfaqësueses kosovare natyrisht i dedikohet Vokrrit, për shkak të punës së tij të jashtëzakonshme në avancimin e futbollit të “Dardanëve”.

Por, çfarë kishte thënë Vokrri pas hedhjes së shortit në fjalë dhe se cilin kishte parë kundërshtar më të fortë për Përfaqësuesen.

Vokrri, shortin e kishte cilësuar të mirë për Kosovën, por vetëm se ishte i vetëdijshëm për rrezikun që do të vinte nga Azerbajxhani.

“Shorti, në shikim të parë, është i mirë, së paku në letër. Nëse i marrim këto dy skuadrat (Maltën dhe Ishujt Faroe, mendoj se mund të përfundojmë më mirë se këto. Por, mendoj se Azerbajxhani është ndër skuadrat më të forta dhe duke u bazuar në rezultatet e tyre në eliminatoret e fundit, është skuadra më e fortë nga katër grupet e Ligës D.

Mendoj se do të jetë e vështirë. Gjithçka do të vendoset në ndeshjet direkte duke marrë parasysh se vetëm vendi i parë vazhdon tutje, por ne do të mundohemi të fitojmë me eksperiencën nga fushata e kaluar eliminatore dhe shpresoj se do të renditemi në vendin e parë”, kishte thënë asokohe Vokrri.