Trump flet për vrasjen e gazetarit Khashoggi: Regjistrimi ka dhunë, sjellje barbare

Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka pranuar të dëgjojë një inçizim të momenteve të fundit të vdekjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Në një intervistë për televizivion “Fox Neës”, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ai ishte vënë në dijeni të rrethanave brutale të vrasjes përmes burimeve presidenciale.

Donald Trump eshte shprehur se, “Është një ngjarje shumë e dhimbshme, dhe kaseta tregon vuajtjet e Khashoggit. Ka shumë dhunë, sjellje barbare. Është e tmerrshme”.

Presidenti Trump tha se në bisedat e shpeshta që ka pasur prej kohësh me princin e kurorës të Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, atij i është thënë se princi nuk është i përfshirë në ngjarje.

Ai pranoi, megjithatë, se njerëzit afër udhëheqësit arab mund të kenë marrë pjesë në vendimmarrje, por shtoi se aleanca me Arabinë Saudite ishte tepër e rëndësishme për ta rrezikuar me supozime, për shkak të ndikimit të vendit në luftërat rajonale.