FOTO/ Përjashtohen 30 mijë familje nga ndihma ekonomike

Qeveria ka përjashtuar nga ndihma ekonomike rreth 27 mijë familje të varfra vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në fund të muajit qershor numri i familjeve që mbështeten me ndihmë ekonomike zbriti në 53 mijë e 100, kur në fund të vitit të kaluar shteti trajtonte me ndihme rreth 79 mijë e 500 familje.

Skema e re e pikëzimit për ndihmën ekonomike është shndërruar në një fshesë masive, e cila ka nxjerr në rrugë pa mbështetje dhjetëra mijë familje të varfra në të gjithë territorin e vendit. Sipas të dhënave të publikuara nga vet INSTAT, krahasuar me vitin 2013 numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike është përgjysmuar, nga 110 mijë që ishte në vetëm 53 mijë. 

Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatoi se shumica dërrmuese e të varfërve nxirren jashtë skemën se ndihmës për shkak procedurash dhe në pamundësi për të plotësuar dokumentet e kërkuara.

‘Arsyet e daljes së familjeve nga skema e NE, referuar kushteve të vetëdeklaruara nga aplikantët në pyetësorin e zhvilluar nga grupi i auditimit të KLSH-së, janë: mungesa e dokumentacionit mbi pronësinë, mungesë informacioni për sistemin e ri të NE, pamundësi të të kuptuarit qartë të formularëve, pamundësi e paraqitjes çdo 3 muaj në njësinë administrative për të plotësuar vetëdeklarimin si shkak i largësisë me qendrën e banimit dhe jo dalje reale nga niveli i “nevojës dhe domosdoshmërisë” për ndihmën ekonomike,’ thuhet në një auditim të posaçëm të KLSH-së.

Skema e re e pikëzimit për përzgjedhjen e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike u hartua me mbështetjen e Bankës Botërore. Por kriteret e saj kanë rezuktuar të ngurta ndërkohë që edhe procedurat e rënduara burokratike kanë lënë jashtë ndihmës mijëra familje të varfra.

Spastrimi masiv i të varfërve nga listat e asistencës është pranuar edhe nga vetë Banka Botërore. Në një raport të fundit monitorimi për projektin e asistencës sociale Banka pranon se numri i familjeve që janë nxjerrë nga skema ishte dukshëm më i lartë nga ai që pritej.

Madje në dokument, ekspertët e Bankës shkruajnë se janë në negociata me qeverinë që kjo e fundit të rikthejë në skemën e ndihmës familjet e përjashtuara pa të drejtë.

Përgatiti: SYRI.net