Rama në Vjenë me liderët e Ballkanit, takim me kancelarin austriak Kurz

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vjenë në Austri për të marrë pjesë në forumin “Ekonomia takohet me politikën”. Rama dha një  konferencë për shtyp  me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz dhe komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Në fjalën e tij, Rama tha:  “Më duhet të falënderoj Kancelarin për pritjen tonë këtu dhe më duhet të them se për vendet e Ballkanit Perëndimor, ardhja në Austri, është si të jesh në shtëpi dhe kjo është qartësisht për të gjithë ne një ditë shumë e bukur.

Dua thjesht të them dy gjëra. Së pari, që ne jemi shumë të angazhuar për bashkëpunimin rajonal dhe tepër mirënjohës për punën e Komisionierit Hahn. Dhe e dyta që jemi duke u përballur me sfidat e bashkëpunimit dhe kuptojmë që ky është një proces ku asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk të jepet si e mirëqenë, por jam i sigurt që do të jemi në gjendje të tejkalojmë problemet dhe do t’i japim qytetarëve tanë atë që meritojnë. I jam personalisht dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, mirënjohës ndaj Kancelarit Kurz për qasjen e tij të qartë në lidhje me perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit dhe gjithashtu për betejën e tij të vendosur për të hapur për Kosovën procesin e liberalizimit të vizave , që shpresoj shumë do të konkretizohet të paktën pas zgjedhjeve europiane”.

Kancelari Kurz në fjalën e tij tha se Austria është një partner i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Ne kemi një lidhje të fortë historike, ekonomike, politike, kulturore dhe njerëzore me këtë rajon, ndaj mendojmë se BE do të jetë i plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare. Për këtë arsye mbështesim vende e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE dhe jemi fokusuar veçanërisht në këtë rajon.

Sot patëm rastin të përqendrohemi në tri çështje të rëndësishme. Së pari, rruga e anëtarësimit të rajonit në BE. Së dyti, bashkëpunimi i domosdoshëm rajonal dhe së treti, gjetja e zgjidhjeve për konfliktet dypalëshe”, tha Kurz.

Ndërsa komisioneri Hahn u shpreh se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë një ndër prioritetet kyçe të presidencës austriake të BE-së. “Jam tepër mirënjohës për caktimin pikësëpari të këtij objektivi si prioritar dhe së dyti, jo vetëm për shpalljen si prioritet, por edhe si kusht gjatë kësaj presidence, duke qenë si i tillë një provë më shumë e angazhimit të fortë.

Një nga temat e sotme ishte bashkëpunimi në krijimin e një zone ekonomike rajonale si hap i parë në integrimin e mëtejshëm në tregun e Bashkimit Europian. Për këtë, është e rëndësishme që të hiqen barrierat formale dhe informale, por edhe për të prezantuar edhe elementë të tjerë në sektorin e energjisë.”