A mundet Lleshi të përballet me sfidat e rendit?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta japë koha, por nëse analizohet me qetësi dhe në mënyra racionale e gjitha “dosja LLeshi” mund të parashikohet me një probabilitet të lartë përgjigja e kësaj pyetjeje.

Konkretisht ministri LLeshi do të duhet të sqarojë:

Së pari, përse Lleshi ka heshtur si këshilltar i Ramës për kanabizimin e vëndit dhe lidhjeve të Tahirit me klanet e trafikantëve e të botës së krimit gjatë kohës që drejtonte rendin, Sajmir Tahiri?

Nëse Lleshi e ka ngritur shqetësimin e kanabizimit të vëndit apo të lidhjeve me botën e krimit apo klanet e trafiqeve dhe rolin e Policisë në këtë proces te Edi Rama, do të ishte një sinjal pozitiv për të nëse ai do ta bënte publik këtë qëndrim të tij të mëparshëm dhe madje do të kishte mbështetjen e publikut nëse do të angazhohej qartas me deklarata e veprime për të shkatërruar të gjithë rrjetin e policëve të implikuar që vazhdojnë të punojnë në sistemin e Policisë dhe për të çuar para drejtësisë të gjithë faktet e provat që ai ka zotëruar si këshilltar, por edhe do të mund të zbulojë si ministër i Brendshëm për këtë çështje, veçanërisht për rolin e Sajmir Tahirit dhe bashkëpunëtorëve të tij në Ministrinë e Brëndshme.

Së dyti, duhet të hetohet nëse ka marrë dy paga, njërën si këshilltar i sigurisë së Edi Ramës dhe të dytën nga zbatimi i vendimit të vitit 2017 që e detyronte Ministrinë e Mbrojtjes të zbatonte vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit për të shfuqizuar dekretin e Presidentit Nishani për gjeneral Lleshin.

Kjo nuk është një çështje morale por strikte ligjore dhe që duhet jo vetëm nga vetë Lleshi por edhe nga zyrat e burimeve njerëzore të Ministrisë së Mbrojtjes e të Kryeministrisë dhe të ndiqet nga opozita.

Së treti, ministri Lleshi dhe Ministria e Mbrojtjes i bënë kërkesë presidentit Meta që të dekretonte largimin nga Forcat e Armatosura aktive të Gjeneralit të Brigadës Lleshi, thënë në gjuhë të thjeshtë popullore t'i hiqej grada gjeneral Aleksandër Lleshit se vetëm kështu i hapej rruga zbatimit të Kushtetutës dhe emërimit të Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm. Kjo do të thotë se para këtij dekreti, Aleksandër Lleshi mbante titullin “Gjeneral Brigade” aktiv.

Në këtë rast del konkluzioni se Aleksandër Lleshi duke qënë “gjeneral aktiv” është emëruar zëvëndësministër i Brëndshëm, madje për disa ditë ka kryer këtë detyrë, pra të gjithë këto veprime janë kryer në shkelje e hapur e Kushtetutës.

Pra në këtë rast Kushtetuta është dhunuar haptas dhe/ose me dijeni nga Edi Rama, nga Aleksandër Lleshi dhe ministri që i ka deleguar “në mungesë e porosi” zëvëndësministrit Lleshi, detyrat e ministrit të Brendshëm, vetëm përmes të cilave Aleksandër Lleshi do të mundte të kryente detyrat e drejtuesit të ministrisë së Brendshme në mungesë të ministrit.

Ose. nëse do të zbatohej në mënyrë strikte Kushtetuta, ministri Fatmir Xhafaj, edhe pasi të ishte i shkarkuar, do të duhet të qëndronte në detyrë derisa t'i dorëzonte detyrën ministrit të dekretuar nga Presidenti, të miratuar nga Kuvendi dhe madje pasi LLeshi të kishte bërë betimin te Presidenti.

Së katërti, media ka raportuar për një problem që Aleksandër Lleshi ka pasur disa probleme kur ka kryer detyrën e përfaqësuesit të ministrisë së Mbrojtjes në ambasadën e RSH në Gjermani.

Edi Rama, ministria e Mbrojtjes dhe tanimë Aleksandër Lleshi si ministër i Brendshëm kanë detyrimin kushtetues të sqarojnë, zyrtarisht me shkresë Presidentin e Republikës dhe Kuvendin, për të bërë transparencën e plotë të pastërtisë së figurës së personit që duke drejtuar ministrinë e Brëndshme do të luftojë krimin dhe trafiqet, duke bashkëpunuar me partnerët e vendit, aq më tepër që Shqipëria si anëtare e NATO ështe e angazhuar për të siguruar konfidencialitetin e të gjithë informacioneve që shkëmbehen mes partnerëve.

Mbetet detyrë prioritare e opozitës të kërkojë që këto detyrime apo dyshime për dhunim të Kushtetutës e të ligjeve nga Edi Rama, ministria e Mbrojtjes dhe Aleksandër Lleshi të sqarohen me transparencë të plotë sipas rregullave dhe kërkesave kushtetuese e ligjore në fuqi.

Po ashtu opozita duhet të kërkojë që të veprojë Prokuroria për të gjithë shkeljet e dyshuara të Kushtetutës e të Ligjeve dhe për gjithçka duhet të bëjë me dije edhe partnerët kryesorë, vecanërisht ato anëtarë të NATO e BE.